Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita ka pritur në takim Ambasadorin e Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, si dhe Oficerin e Kontaktit të Holandës të atashuar pranë Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, ambasadori Vos i dorëzoi Drejtorit Hita letrën e urimit të dërguar nga Drejtoresha e Policisë holandeze, Janny Knol, me rastin e marrjes së detyrës.
Në mesazhin e saj, Knol shpreh konsideratën për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit dhe vlerëson bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimeve ndërkufitare.
“Shpreh konsideratën time më të lartë për ju dhe Policinë e Shtetit shqiptar, dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj. Të dyja, Policia holandeze dhe Policia e Shtetit, bashkëndajnë angazhimin e lartë në luftën kundër krimeve ndërkufitare”, thuhet në letrën e saj.
Drejtori Hita falënderoi ambasadorin për vizitën dhe përcolli përmes tij konsideratën reciproke për homologen holandeze. Ai theksoi se bashkëpunimi mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Holandë ka sjellë rezultate konkrete në lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.
Sipas tij, bashkëpunimi ka përfshirë gjithashtu krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimin në kohë reale të inteligjencës kriminale, si dhe gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
Më tej, Hita shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të vijuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me autoritetet holandeze në të gjitha aspektet që do të referohen në të ardhmen nga Oficeri i Kontaktit.
Nga ana tjetër, ambasadori Vos e uroi Drejtorin Hita për detyrën e re dhe vlerësoi vizionin e tij për drejtimin e Policisë së Shtetit. Ai garantoi mbështetjen e vazhdueshme të agjencive ligjzbatuese holandeze për forcimin e sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Në fokus të takimit ishte edhe prezantimi i vizionit të Drejtorit të Përgjithshëm për një polici moderne, të besueshme dhe më pranë qytetarëve, si dhe forcimi i partneritetit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Holandës në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje