Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Familja e Aleks Nikës i ka dërguar një letër të hapur BE-së, duke akuzuar SPAK për zvarritje të hetimeve të “21 Janarit” dhe mungesë veprimesh konkrete për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit la në burg regjisorin Petri Bozo pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një 7-vjeçar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë rritje të lehtë të aksidenteve rrugore në katërmujorin e parë të vitit 2026, ku faktori kryesor mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve. Në GJKKO dëshmoi edhe Cllevio për çështjen e tritolit në lokalin e Noizyt, në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut.
Gjithashtu, dy ish-policë dhanë detaje në gjyqin ndaj Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau të Dejës. Policia zbardhi edhe plagosjen e Juxhin Humajezit në Tiranë, ku konflikti dyshohet se nisi për një borxh prej 30 mijë eurosh.
Apeli liroi nga qelia Bujar Abedinin, pjesë e dosjes së grupit të Laert Haxhiut, ndërsa nga Italia u ekstradua Sueld Elezi për trafik droge dhe nga Britania Altin Shehu për akuzën e vrasjes. GJKKO la në burg tre të arrestuarit kryesorë të grupit të Igli Kamberit.
AMP ka nisur hetime për mënyrën si u trajtua rasti i vetëflijimit të Xhuana Nikollajt, ndërsa ish-bashkëshorti i saj vijon të jetë në arrati. Në Durrës u arrestuan 17 persona gjatë operacionit antidrogë “Cleaning 5”, me sekuestrim armësh dhe droge pranë shkollave.
Në Kosovë, një 37-vjeçar u vra me thikë në Mitrovicë, ndërsa në Athinë dy shqiptarë u arrestuan pas një ndjekjeje të rrezikshme që nisi pas plagosjes së një tregtari pakistanez.
Ndërkohë, antimafia italiane goditi rrjetin financiar të lidhur me Matteo Messina Denaro, duke sekuestruar mbi 200 milionë euro pasuri në disa shtete. Në Zvicër, një 31-vjeçar sulmoi me thikë kalimtarë në stacionin e trenit në Winterthur, duke plagosur disa persona.
Lini një Përgjigje