TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2026, 13:41

"Sterilizimi", Beqaj kërkon pavlefshmërinë e provave dixhitale: Laboratori i SPAK-ut s’ka akreditim

Shkruar nga Pamfleti
"Sterilizimi", Beqaj kërkon pavlefshmërinë e provave
Ilir Beqaj krah avokatit në seancën e 21 majit

Në GJKKO po mbahet seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të çështjes së Sterilizimit.

Në këtë seancë, Beqaj nuk qëndroi më në kafazin e të pandehurve, por u ul pranë avokatëve të tij. Ai u shoqërua në sallë nga forcat e Policisë së Burgjeve.

Në seancën e 21 majit, ish-ministri kishte paraqitur 16 kërkesa paraprake. Ndërsa sot, para trupit gjykues, ai kërkoi përjashtimin e disa provave dixhitale, me argumentin se ato bien ndesh me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, si dhe me vendime të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Beqaj ngriti po ashtu dyshime mbi laboratorin dixhital të SPAK-ut, duke pretenduar se ai nuk ka akreditimet dhe standardet e nevojshme ndërkombëtare për administrimin e provave elektronike.

“Kërkoj të përjashtohen disa prova dixhitale, pasi bien në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë dhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kam rezerva për laboratorin e SPAK. Laboratori dixhital i SPAK-ut nuk ka akreditim, nuk ka standarde ISO dhe nuk e dimë cili është enti që e ka certifikuar. E kemi pyetur për këtë standard, por nuk kemi marrë përgjigje”, tha Beqaj.

9 kërkesat e reja të Beqajt:

1. Gjatë fazës së hetimeve mbrojtja ka paraqitur para akuzës 25 memorie të ndryshme. Shumica dërrmuese e këtyre memorieve jo vetëm që kanë marrë përgjigje pas afatit 15 ditor që përcakton K.Pr. P., por të gjitha kanë marrë përgjigje pas njoftimit të akuzës. Shumica dërrmuese kanë marrë përgjigje refuzuese, përfshirë refuzimin e kërkesave për hetime shtesë dhe kërkesën që organi i akuzës të mbledhë prova në favor të pafajsisë së Ilir Beqaj. Disa kërkesa kanë marre përgjigje pas 100 ditësh. Duke qënë se është cënuar haptazi procesi i rregullt ligjor, kërkohet pushimi i gjykimit.

2. Të gjitha provat digjitale të përftuara nga pajisje elektronike dhe në postë elektronike, janë administruar në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me:
* Konventën e Budapestit, ratifikuar mr ligiin nr. 8888
* Nenet 208/a dhe 209 të K. Pr. P. 
* Jurisprudencën e GJL (vendimi njësues i vitit 2021, çështja Lapsi.al)
* Jurisprudencën e GJK, vendimet e vitit 2025, çështja E. Qyno dhe çështja O. Ymeraj
* Doracakun dhe udhëzuesin e GJEDNJ për provat digjitale.
Ndërkohë prej më shumë se 10 muajsh SPAK nuk i kthen përgjigje mbrojtjes së I. Beqaj, për akreditimin e laboratorit të SPAK dhe standardet ISO të Digital Forensic që përdor ky laborator.
Kërkohet përjashtimi i të gjithë provave digjitale të administruara në mënyrë të paligjshme.

3. Akuza bazohet edhe mbi një dokument të ashtuquajtur Aneksi 5 i kontratës koncesionare. Ky dokument nuk rezulton as i nënshkruar, e as i vulosur, nga palët kontraktore. Madje nuk figuron as i nënshkruar as nga komisioni i koncesionit që ka negociuar draftin e kontratës dhe e ka nënshkruar atë fletë më fletë. Kërkohet përjashtimi i kësaj prove.

4. Në Kodin Penal të RSH, akuza për vjedhje nuk plotëson parimet e ligjshmërisë sepse nuk përkufizon sjelljen e ndaluar. Veç të tjerash, vjedhja ndodh gjithmonë pa pëlqimin e te zotit të cilit i pakësohet pasuria. Kjo gje nuk shkruhet në Kodin Penal. Autoriteti Kontraktor i paguan me vetedije Konçesionarit i pamashtruar dhe i pakërcënuar. Për rrjedhojë, kërkohet pushimi i çështjes penale.

5. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP-së. Meqënëse sipas këtij të fundit nuk ka kontratë origjinale midis palëve, akuta nuk mbështetet në prova, prandaj kërkohet pushimi i çështjes penale.

6. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP-së. Meqënëse sipas këtij të fundit nuk ka një vlerë të llogaritur të vjedhjes akuza bazohet mbi diçka te pa provuar, prandaj kërkohet pushimi i çështjes penale.

7. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP. Sipas këtij të fundit, akuza ndaj Ilir Beqaj bazohet në profesionin e tij, në karakterin e tij dhe sjelljen e tij gjatë seancave. Sjellja gjatë seancave është një sjellje pas kryerjes së veprës penale të pretenduar. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

8. Organi i akuzës pretendon se njoftimi i akuzës i detajuar është vendimi i arsyetuar i GJSP. Sipas këtij të fundit, duhej të zhvillohej prokurim publik dhe jo tender koncesionar, duke hyrë kështu në prerogativë ekskluzive të pushtetit ekzekutiv. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

9. Kërkohet të konstatohet paligjshmëria dhe për pasojë pavlefshmëria e vendimit të ndërmjetëm për ndarjen e çështjes të datës 28.05.2025, nr. regj. themeltar 66, datë regjistrimi 03.02.2025. Trupa gjyqësore nuk u shpreh asnjëherë për kërkesat paraprake që I. Beqaj paraqiti përpara asaj trupe. Për këtë arsye kërkohet pushimi i çështjes penale.

Lini një Përgjigje