Efektivi i Policisë së Shtetit, Edison Adri, i plagosur gjatë ngjarjes së ndodhur në Maliq, ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
36-vjeçari po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku u transportua me urgjencë menjëherë pas plagosjes. Burime nga stafi mjekësor bëjnë me dije se gjendja e tij ka pësuar përmirësim, ndërsa ai vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët specialistë.
Sipas të njëjtave burime, efektivi do të qëndrojë i shtruar edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e fazës së rikuperimit dhe rehabilitimit.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes në Maliq, ku mbeti i plagosur punonjësi i policisë.
Mjekët kanë konfirmuar se aktualisht Edison Adri nuk paraqet rrezik për jetën dhe po i nënshtrohet trajtimit të nevojshëm për rikuperimin e plotë.
Operacioni në Maliq
Rreth orës 07:30 të së enjtes, forcat e policisë rrethuan një stan në zonën malore të Lozhanit, ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari. Sipas policisë, ai ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes i është bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk iu bind urdhrave dhe hapi zjarr ndaj efektivëve.
Si pasojë e të shtënave, humbi jetën në krye të detyrës inspektori Enea Mekolli pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Korçë. Gjithashtu mbeti i plagosur inspektori Edisan Adri 36 vjeç, gjithashtu pjesë e së njëjtës strukturë policore.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke neutralizuar autorin e dyshuar, i cili mbeti i plagosur dhe u arrestua në vendngjarje.
Në ndihmë të të plagosurve është angazhuar edhe një helikopter i shërbimit shëndetësor për transportimin e tyre drejt një qendre të specializuar mjekësore.
Lini një Përgjigje