Protesta e zhvilluar këtë të hënë para Kuvendit është shoqëruar me momente tensioni, ndërsa protestuesit kanë tentuar t'i afrohen godinës së Parlamentit dhe të çajnë kordonin e policisë.
Që në nisje të tubimit, qytetarët kishin marrë me vete domate, vezë dhe speca, të cilat do të përdoreshin për t'u hedhur në drejtim të ministrave dhe deputetëve gjatë mbërritjes së tyre në Kuvend.
Situata u tensionua kur një grup protestuesish lëvizi në rrugët përreth Parlamentit në përpjekje për të kaluar perimetrin e sigurisë të ngritur nga Policia e Shtetit. Efektivët bllokuan afrimin e tyre, duke mos lejuar thyerjen e kordonit policor.
Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën në disa momente spraj me lëndë irrituese për të larguar protestuesit dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
Përdorimi i vezëve ndaj zyrtarëve nuk është një zhvillim i ri. Edhe në seancën e kaluar parlamentare protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve që transportonin deputetët dhe ministrat në hyrje të godinës së Kuvendit.
Protesta po zhvillohet paralelisht me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, ndërsa forca të shumta policie vijojnë të mbajnë të rrethuar zonën përreth Parlamentit.



Lini një Përgjigje