Andrea Pirlo nuk do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, ka vendosur t'i japë fund negociatave me ish-mesfushorin, pas polemikave të forta që shpërthyen për bashkëpunimin e tij me një kompani ruse bastesh.
Sipas mediave italiane, Malagò ka qenë i qartë në diskutimet me drejtuesit e federatës se Pirlo nuk mund të emërohet trajner i Italisë, jo për arsye sportive apo teknike, por për shkak të papërshtatshmërisë së momentit dhe presionit të krijuar në opinionin publik dhe në politikë. Një avokat i FIGC-së po shqyrtonte dokumentacionin e kontratës së Pirlos me kompaninë ruse, por ndërkohë negociatat janë ndërprerë përfundimisht.
Vendimi ka krijuar tensione të forta brenda federatës. Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët kishin mbështetur kandidaturën e Pirlos dhe po punonin për projektin e ri të kombëtares, raportohet se janë të pakënaqur me zhvillimet e fundit. Megjithatë, Malagò ka bërë të ditur se vendimi për trajnerin i takon presidentit të federatës, në përputhje me rregulloren.
Ndërkohë, vetë Andrea Pirlo reagoi publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu zhgënjimin për debatin që u zhvillua rreth emrit të tij.
"Kam ndjekur me keqardhje debatin që u krijua rreth mundësisë për të drejtuar kombëtaren. Bashkëpunimi im ka qenë vetëm i natyrës tregtare dhe sportive. T'i jepet një kuptim politik është t'u atribuohen bindje që nuk i kam shprehur kurrë. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një post", shkroi Pirlo.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ishte njoftuar se nuk ishte më kandidat për postin e trajnerit dhe falënderoi Paolo Maldinin dhe Leonardon për besimin e treguar ndaj tij.
Me Pirlon tashmë jashtë garës, FIGC duhet të gjejë shpejt një zgjidhje. Sipas raportimeve, Roberto Mancini mbetet kandidati i preferuar i Giovanni Malagòs, ndërsa Antonio Conte konsiderohet alternativa e dytë. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas takimeve të drejtuesve të federatës, ndërsa Italia vazhdon të mbetet pa trajner.
Lini një Përgjigje