Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Përplasje para Kuvendit/ Protestuesit shkulin gardhin metalik; policia përdor sprej djegës
Situata para godinës së Kuvendit u tensionua ndjeshëm këtë të enjte, përpara nisjes së seancës plenare, ku protestuesit u përplasën me forcat e policisë në përpjekje për të çarë perimetrin e sigurisë.
Protestuesit, të mbledhur prej orëve të para të mëngjesit, ndërmorën një aksion duke tërhequr dhe shkulur gardhin metalik të vendosur nga policia në hyrje të Pedonales, pranë godinës së Parlamentit. Përballë tentativës për të depërtuar në zonën e sigurisë, efektivët ndërhynë për të zmbrapsur turmën.
Gjatë përplasjes, policia përdori sprej irritues për të shpërndarë protestuesit dhe për të rimarrë kontrollin e situatës. Si pasojë e ndërhyrjes, raportohet se disa protestues mbetën të lënduar.
Në momentet e tensionit, disa qytetarë tentuan të pengonin hyrjen e deputetëve në ambientet e Kuvendit. Po ashtu, pesë protestues arritën të kalonin kordonin e sigurisë, duke detyruar policinë të ndërhynte menjëherë. Si rezultat, disa persona u shoqëruan, mes tyre edhe Gent Progni.
Progni ishte pozicionuar në një lokal pranë Akademisë së Shkencave nga ku goditi edhe deputetët me vezë.
Në lokal ishin edhe deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Admir Kadeli, të cilët Progni i ka ofenduar duke iu thënë hajdutë.
Plagosen tre efektivë/ Përplasje mes protestuesve dhe policisë para Kuvendit
Tensionet jashtë Kuvendit vijojnë të jenë të larta edhe para nisjes së seancës plenare. Protesta e organizuar përpara godinës së Parlamentit është shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Me mbërritjen e deputetëve në Kuvend, një grup protestuesish hodhën vezë në drejtim të tyre. Situata u përshkallëzua menjëherë dhe policia ndërhyri për të neutralizuar incidentet, duke shoqëruar gjashtë protestues.
Gjatë përplasjeve mbetën të plagosur edhe tre efektivë të Policisë së Shtetit. Pas këtij momenti, protestuesit u zhvendosën drejt zonës së pedonales, ku tentuan të çajnë kordonin e sigurisë të ngritur nga forcat e rendit.
Për të penguar avancimin e turmës, policia përdori spraj lotsjellës. Përplasjet zgjatën për disa minuta, ndërsa forcat e rendit arritën të ruajnë perimetrin e sigurisë përreth Kuvendit.
Në hyrje të Parlamentit ndodhen në gatishmëri edhe dy automjete ujëhedhëse, të vendosura si masë parandaluese. Megjithatë, gjatë përplasjes së parë ato nuk u përdorën për shpërndarjen e protestuesve.
Qëlluan efektivin me gur në kokë/ Dritan Goxhaj thirrje protestuesve: E kemi me parlamentin, jo me policinë
Mes tensioneve të krijuara gjatë protestës para Kuvendit, aktivisti Dritan Goxhaj u bëri thirrje protestuesve të ndalnin sulmet ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
Apeli i tij erdhi pasi një efektiv policie u godit në kokë me një gur të hedhur nga turma gjatë përplasjeve me forcat e rendit. Polici i lënduar mori ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.
“E kemi me Parlamentin! Jo me gurë Policisë së Shtetit!”, dëgjohet të thotë Goxhaj, duke u kërkuar protestuesve të mos ushtronin dhunë ndaj uniformave blu.
Edhe një protestuese iu bashkua thirrjes, duke u shprehur: “Jo me djemtë, jo me çunat, jo me policinë!”
Nga turma u dëgjuan gjithashtu thirrje si “Bashkohuni me ne” dhe “Policia është me ne”, ndërsa tensionet vijuan për disa minuta.
Përplasjet nisën pasi protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur përpara Kuvendit dhe u konfrontuan me forcat e policisë. Gjatë incidenteve u hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, ku njëri prej tyre u godit në kokë dhe u dërgua për të marrë ndihmë mjekësore.
Nis seanca plenare/ Protestuesit ulen përpara godinës: Dorëzoni mandatet!
Duke u ulur përpara gardhit metalik të vendosur nga policia për të rrethuar perimetrin e sigurisë.
Të ulur përballë Parlamentit, ata u kanë bërë thirrje deputetëve të dorëzojnë mandatet dhe t'u bashkohen protestës që, sipas tyre, është kundër qeverisë.
“Dorëzoni mandatet. Dorëzoni mandatet. Bashkohuni me ne”, dëgjohej të thërrisnin protestuesit në kor.
Gjatë protestës, qytetarët përsëritën edhe thirrje të tjera si: “Parlament i krimit, dorëzoni mandatet”, ndërsa kërkuan gjithashtu arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të opozitës, Sali Berisha.
Protesta vijon edhe pas nisjes së seancës plenare, ndërsa jashtë godinës së Kuvendit mbeten të pranishme forca të shumta policie dhe masat e sigurisë mbeten të shtuara pas përplasjeve që u regjistruan më herët mes protestuesve dhe efektivëve të rendit.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje