
Një pjesë e protestuesve të mbledhur para Kuvendit u zhvendosën gjatë zhvillimit të seancës plenare drejt hyrjes tjetër të Parlamentit, në zonën e Pedonales, pas raportimeve se disa deputetë mund të largoheshin më herët nga godina.
Me mbërritjen e tyre në këtë hyrje, protestuesit hodhën vezë në drejtim të godinës së Kuvendit dhe zonës së sigurisë. Disa prej tyre goditën edhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët ishin të vendosur në perimetrin e sigurisë.
Megjithatë, një pjesë e protestuesve reaguan duke u bërë thirrje të pranishmëve që të mos qëllonin në drejtim të uniformave blu. Nga turma u dëgjuan thirrje që protesta të mos drejtohej kundër policisë, por ndaj institucioneve shtetërore.
Që në orët e para të mëngjesit u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, u dëmtua gardhi metalik i vendosur për sigurinë e Kuvendit, ndërsa policia përdori sprej irritues për të shpërndarë turmën. Gjatë incidenteve u shoqëruan disa persona, mes tyre edhe aktivisti Gent Progni, ndërsa një efektiv policie mbeti i lënduar pasi u godit në kokë me një gur.
Pavarësisht incidenteve, protesta ka vijuar paralelisht me seancën plenare, ndërsa në zonën përreth Kuvendit mbeten të pranishme forca të shumta policie dhe masat e sigurisë vijojnë të jenë të shtuara.
Lini një Përgjigje