Katër nga protestuesit e ndaluar gjatë tensioneve në protestën e zhvilluar paraditen e sotme para Kuvendit do të kalojnë natën në qeli. Ata pritet të dalin nesër para Gjykatës së Tiranës, ku do të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Protesta e zhvilluar sot para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë, duke përfunduar me 23 persona të shoqëruar, katër prej të cilëve u arrestuan dhe do të dalin të premten para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas të dhënave paraprake, një grup protestuesish u pozicionuan në hyrjet dhe rrugëkalimet që përdorin deputetët për të hyrë në Kuvend, me synimin për t'i penguar ata të merrnin pjesë në seancën plenare.
Gjatë protestës, demonstruesit qëlluan me vezë automjetet e deputetëve, ndërsa në disa momente u përplasën edhe me efektivët e policisë, duke hedhur gurë në drejtim të tyre. Një pjesë e protestuesve arritën të depërtonin brenda perimetrit të sigurisë së Kuvendit, çka solli ndërhyrjen e forcave të rendit.
Policia ndërhyri për të larguar protestuesit dhe për të rivendosur kontrollin e situatës, duke kryer fillimisht 23 shoqërime. Katër prej personave të ndaluar u lanë në paraburgim dhe do të përballen të premten me Gjykatën e Tiranës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.
Tensionet vijuan edhe në përfundim të seancës plenare, kur forcat e policisë ndërhynë për të garantuar daljen e sigurt të deputetëve nga godina e Kuvendit. Për shpërndarjen e turmës u përdorën automjetet me ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa u kryen edhe shoqërime të tjera, pasi situata u përshkallëzua në akte dhune.
Bilanci paraprak i përplasjeve është nëntë efektivë policie dhe katër protestues të lënduar. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike akuzat konkrete ndaj personave të arrestuar, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin përgjegjësitë për incidentet e regjistruara gjatë protestës.
Lini një Përgjigje