TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2026, 15:54

Mandati i Olsian Çelës drejt fundit, KLP hap garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm; 30 ditë për të aplikuar

Shkruar nga Pamfleti
Mandati i Olsian Çelës drejt fundit, KLP hap garën për
Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, pasi një ditë më parë KLP kishte shtyrë shqyrtimin e procedurave për të studiuar kuadrin ligjor dhe mënyrën e verifikimit të kandidatëve në kushtet e përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar (vettingut) dhe ndryshimeve të fundit ligjore.

Sipas vendimit të miratuar, nga dita e premte kandidatët do të kenë 30 ditë afat për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe për të shprehur interesin pranë KLP-së. Më pas, Këshilli do të vijojë me procedurat e verifikimit të kandidatëve, sipas parashikimeve ligjore.

Anëtarët e KLP-së kishin ngritur më herët dilema lidhur me mënyrën e kryerjes së kontrollit pasuror dhe të figurës së kandidatëve, pas përfundimit të mandatit të institucioneve të vettingut në qershor. Për këtë arsye, ata vlerësuan të nevojshëm shqyrtimin e akteve ligjore dhe të rregullores së garës, për të përcaktuar nëse procedurat duhej të përshtateshin me rrethanat e reja ligjore.

Mandati shtatëvjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor. Ai është prokurori i parë i zgjedhur sipas reformës në drejtësi dhe përfundimi i mandatit të tij ka sjellë nisjen e procedurave për përzgjedhjen e pasuesit.

Edhe pse ende nuk ka kandidatura zyrtare, në qarqet e drejtësisë vijojnë të përfliten disa emra që mund të garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

këshilli i lartë i prokurorisë

Lini një Përgjigje