
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH) dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kanë reaguar ndaj udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit për herë të parë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri parashikohet kryerja e terapisë hormonale për personat transgjinorë, përfshirë edhe të miturit.
Përmes një deklarate publike, VUSH shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “zhvillim të ideologjisë gjinore”, duke theksuar se familja tradicionale, e cila mbetet në qendër të besimit dhe vlerave po cenohet.
“Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cenohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit. Qëndrimi pro familjes, mbështetja për vlerat e familjes tradicionale, burrë dhe grua, siç e njeh edhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar për t’i artikuluar dhe mbrojtur këto qëndrime publikisht”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Sipas VUSH-it, identiteti njerëzor si mashkull dhe femër është i dhënë nga Zoti dhe nuk mund të ndryshohet nga vullneti i individit.
"Si Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë jemi duke ndjekur zhvillimet mbi ideologjine gjinore dhe së fundmi me terapinë që pritet të lejohet pranë QSUT-së. Ne kemi familjen në qendër të besimit tonë dhe të vlerave biblike që përfaqësojmë. Besojmë se mbrojtja e familjes, siç e njeh Bibla, tradita dhe legjislacioni shqiptar, mbetet një vlerë themelore për shoqërinë tonë.
Bibla mëson se ekziston vetëm një Zot që është Krijuesi dhe Zot i të gjithëve. Asnjë nuk mund ta njohë veten pa e njohur me të vërtetë Atë që na krijoi. Identiteti ynë i vërtetë, si meshkuj dhe femra, është dhënë nga Zoti. Nuk është vetëm marrëzi, por është dhe e pashpresë, të përpiqemi ta bëjmë veten ashtu siç Zoti nuk na krijoi që të jemi. Ne theksojmë se jemi plotësisht në mbështetje të vlerës dhe dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, si burra dhe gra, të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Ne ndajmë shqetësimin se familja tradicionale po cenohet përmes nismave dhe këtyre zhvillimeve të fundit. Qëndrimi pro familjes, mbështetja për vlerat e familjes tradicionale, burrë dhe grua, siç e njeh edhe Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, i jep të drejtën çdo qytetari shqiptar për t’i artikuluar dhe mbrojtur këto qëndrime publikisht.
Pastor Akil Pano ka qenë një zë i njohur në mbështetje të familjes tradicionale dhe vlerave të saj, duke kontribuar prej vitesh në jetën shpirtërore, sociale dhe komunitare. Ne shprehim mbështetjen tonë për Pastor Akil Pano dhe familjen e tij, përballë gjuhës së rënduar publike, sulmeve personale dhe përpjekjeve për stigmatizim, që cenojnë individin, por edhe çdo pastor ose klerik që ushtron detyrën e tij.
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë nuk mbështet asnjë vepër e cila cënon zhvillimin dhe mirëqeverisjen e Institucionit Themelor të Shoqërisë Njerëzore në kombin tonë Shqiptar. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë kundërshton çdo propagandë e cila po tenton dhe manifeston në forma te ndryshme të denigrojë dhe shkatërrojë institucionin e familjes në kombin tonë. I bëjmë thirrje opinionit publik që të ruajë maturinë, respektin dhe përgjegjësinë në komunikim, duke mbrojtur dinjitetin e familjes, rolin e pastorit në shoqëri dhe të drejtën e secilit për të shprehur bindjet e veta në paqe dhe dinjitet", thuhej në reagimin e plot të VUSH.
KMSH-ja nga ana tjetër, shprehet se po e ndjek me “shqetësim të thellë” debatin e krijuar pas publikimit të udhëzimit, duke veçuar pjesën ku thuhet se terapia hormonale mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.
Sipas Komunitetit Mysliman, udhëzime të tilla përbëjnë një çështje tepër delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e KMSH-së.
KMSH shpreh kundërshtimin ndaj çdo qasjeje që, sipas saj, hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të hershme, duke theksuar se të miturit nuk duhet të përballen me procese që sjellin pasoja afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur identiteti dhe personaliteti janë ende në formim.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë që çështje të tilla të trajtohen me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.
"Qëndrim publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të krijuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.” Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret.
Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla. Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim. Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm. Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare. Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë", thuhej në njoftimin e KMSH.
Lini një Përgjigje