
Prokuroria italiane ka nisur një procedim penal ndaj avokates së njohur Daniela Paccoi, e cila dyshohet për përfshirje si ndërmjetëse në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, me lidhje të dyshuara edhe me organizata shqiptare.
Hetimet po zhvillohen në qytetin e Peruxhias, ndërsa avokatja aktualisht po ndiqet në gjendje të lirë. Sipas dosjes hetimore, Paccoi dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e komunikimeve mes drejtuesve të një organizate kriminale dhe një klienti të saj, i cili ishte arrestuar më herët me rreth 65 kilogramë kokainë.
Sipas akuzës, ajo ka shërbyer si kanal komunikimi mes Shqipërisë dhe ambientit të burgut, duke përcjellë mesazhe dhe duke ndihmuar në ruajtjen e fshehtësisë së identiteteve të bashkëpunëtorëve. Hetuesit pretendojnë gjithashtu se avokatja ka qenë pjesë e një skeme të inskenuar, që synonte të simulonte bashkëpunim me autoritetet përmes “zbulimit” të rremë të një sasie droge.
Në këtë çështje përfshihen edhe dy persona të tjerë: një shtetas shqiptar, i dyshuar si korrier dhe menaxher financiar i organizatës në Itali, si dhe biznesmeni Matteo Coresi. Ky i fundit, sipas hetimeve, është arrestuar gjatë një operacioni ku u sekuestruan 65 kilogramë kokainë, të fshehura në një automjet dhe në një aktivitet biznesi në zonën e Folignos.
Rasti është ndjekur nga Guardia di Finanza përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve, përfshirë edhe brenda burgut të Capanne. Sipas prokurorisë, rrjeti kriminal dyshohet se ka përdorur mënyra të fshehta komunikimi dhe mekanizma financiarë për të ndikuar në proceset gjyqësore, duke synuar përfitime në trajtimin ligjor.
Hetuesit bëjnë të ditur gjithashtu se është organizuar transporti i një sasie tjetër droge, e cila më pas është fshehur në një zonë rurale pranë Casenove, me qëllim krijimin e një skenari të rremë bashkëpunimi me autoritetet.
Ndërkohë, Matteo Coresi pritet të dalë para gjykatës më 7 maj në një procedurë të përshpejtuar, ndërsa hetimet për rolin e avokates dhe të rrjetit të dyshuar kriminal vijojnë.
Lini një Përgjigje