
Pasi ndaloi procesin e negociatave me SHBA-në, Teherani ka kërcënuar se armëpushimi aktual mund të prishet nëse Izraeli vijon sulmet ndaj Libanit.
Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se probabiliteti i përfundimit të armëpushimit SHBA-Iran është i lartë nëse sulmet ndaj Libanit nuk ndalen, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Si Teherani ashtu edhe Uashingtoni kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit që kur ai filloi. Të dy vendet kishin punuar mbi një marrëveshje të propozuar për të zgjatur një armëpushim, i cili u njoftua për herë të parë në fillim të prillit.
Kujtojmë se më herët, ekipi negociator i Iranit ka vendosur të ndalojë shkëmbimin e mesazheve me Shtetet e Bashkuara përmes ndërmjetësve, si reagim ndaj ofensivës izraelite në Liban, kështu njoftoi të hënën agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Sipas burimeve të agjencisë, Irani e konsideron situatën në Liban si “thelbësore” për çdo marrëveshje armëpushimi.
“Ky armëpushim është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Asnjë dialog nuk do të zhvillohet derisa të arrihet një pikëpamje e përbashkët midis Iranit dhe Hezbollahut për këtë çështje”, thuhet në raportin e Tasnim.
Teherani kërkon ndalimin e menjëhershëm të ofensivës izraelite në Liban dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga zonat e pushtuara. Sipas burimeve iraniane, pa plotësimin e këtyre kushteve, çdo përpjekje për ndërmjetësim ose bisedime indirekte me Uashingtonin do të mbetet e pezulluar.
Lini një Përgjigje