TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Korrik 2026, 15:16

F-16 i Forcave Ajrore Greke përfshihet nga flakët pas uljes emergjente (Video)

Shkruar nga Pamfleti

F-16 i Forcave Ajrore Greke përfshihet nga flakët pas uljes emergjente

Momente dramatike u regjistruan mesditën e së enjtes në aeroportin e ishullit Zakynthos, kur një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore Greke u përfshi nga flakët menjëherë pas një uljeje emergjente.

Sipas mediave greke, piloti i avionit, një F-16 Viper i modernizuar nga flota prej 54 avionësh F-16 Block 52+ Advanced të Forcave Ajrore Greke, kishte njoftuar në kohë Qendrën Kombëtare të Operacioneve Ajrore, Komandën e Aviacionit Taktik dhe bazën ajrore të Araxosit, nga ku ishte ngritur, për problemin teknik që po përballej gjatë fluturimit.

Pas koordinimit të menjëhershëm mes autoriteteve ushtarake, piloti mori udhëzimin për të kryer ulje emergjente në aeroportin e Zakynthosit.

Autoritetet e aeroportit civil të ishullit aktivizuan menjëherë procedurat e emergjencës, duke pezulluar përkohësisht të gjitha uljet dhe ngritjet e avionëve civilë deri në përfundimin e operacionit.

Sipas raportimeve, vendimi për të zbritur në Zakynthos tregon se defekti ishte serioz, pasi piloti nuk kishte kohën e nevojshme për të vazhduar fluturimin drejt bazës së Araxosit, e cila ndodhet vetëm disa minuta larg me një avion të këtij lloji.

Pamjet e publikuara tregojnë se avioni dyshohet të ketë pësuar një defekt në sistemin e frenimit ose të uljes. Për pasojë, ai u ul mbi trupin e tij ("belly landing"), pasi sistemi i rrotave nuk u aktivizua. Menjëherë pas ndalimit në pistë, avioni u përfshi nga flakët. Shkaqet e sakta të incidentit nuk janë bërë ende të ditura dhe autoritetet greke kanë nisur hetimet.

greqi f-16

Lini një Përgjigje