Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis ka konfirmuar se një anije mallrash me lidhje greke është sulmuar pranë Ngushticës së Hormuzit, por autoritetet nuk kanë ende një konfirmim nëse ajo është sekuestruar nga Irani.
“Mund të konfirmoj se pati një sulm kundër anijes së mallrave në pronësi greke, por nuk mund të konfirmoj që ajo është sekuestruar nga iranianët,” tha Gerapetritis.
Ai e cilësoi situatën si shqetësuese dhe u bëri thirrje të gjitha anijeve në pronësi greke të shmangin kalimin përmes kësaj rruge të rëndësishme detare. Sipas tij, anija mbante flamurin e Liberisë dhe po përpiqej të largohej nga Ngushtica e Hormuzit në momentin e incidentit.
“U kemi dërguar një njoftim të përgjithshëm të gjitha anijeve në pronësi greke që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin kalimin e ngushticës,” shtoi ai.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, të cituara nga CNN, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë shënjestruar tre anije në këtë zonë. Dy prej tyre, sipas të njëjtave burime, janë sekuestruar dhe dërguar në ujërat iraniane. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Lini një Përgjigje