Ndërsa sistemet e inteligjencës artificiale bëhen gjithnjë e më komplekse, nevoja për të vendosur rregulla, kufij dhe parime themelore për mënyrën se si ato funksionojnë e sjell filozofinë dhe njerëzit që e studiojnë atë në qendër të diskutimit rreth të ardhmes së IA-së.
Dhjetë vjet më parë, në fillimet e revolucionit të inteligjencës artificiale, shumë studentëve të shkencave humane u këshillohej të mësonin programim për të rritur mundësitë e punësimit. Sot, situata duket se ka ndryshuar. Janë vetë programuesit që shprehin shqetësime se inteligjenca artificiale mund të reduktojë vendet e tyre të punës ose madje t’i zëvendësojë.
Sipas të dhënave të publikuara këtë vit nga Banka Federale e Rezervës së Nju Jorkut, të diplomuarit në filozofi në SHBA kanë aktualisht një normë papunësie pak më të ulët se ata të diplomuar në informatikë. Në vitin 2024, papunësia mes të diplomuarve në informatikë ishte 7%, ndërsa mes filozofëve 5,1%.
Sipas "The Economist", ekspertët vlerësojnë se filozofia po fiton terren edhe brenda industrisë së inteligjencës artificiale. Sipas Luciano Floridi, profesor i filozofisë në Universitetin Yale, shumë studentë marrin oferta pune nga kompanitë e AI-së përpara diplomimit, ndërsa edhe akademikët po kalojnë gjithnjë e më shumë drejt këtij sektori.
Një pjesë e rëndësishme e kontributit të filozofisë lidhet me traditën e mendimit të lashtë grek. Metoda sokratike, e përshkruar nga Platoni, bazohet në pyetje të njëpasnjëshme që ndihmojnë në sqarimin e koncepteve, zbulimin e kundërthënieve dhe arritjen e përfundimeve të argumentuara.
Sipas Jörg Noller, studiues i filozofisë dhe inteligjencës artificiale në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut, modelet e trajnuara mbi këtë metodë synojnë më shumë kërkimin e së vërtetës sesa thjesht dhënien e përgjigjeve që kënaqin përdoruesin.
Filozofia mund të ndikojë edhe në mënyrën se si një model i AI-së interpreton botën. Thomas Powers, filozof i teknologjisë në Universitetin e Delaware, shpjegon se një asistent ligjor i trajnuar mbi veprat e John Locke do të prirej të mbështeste të drejtën e pronës si themel të lirisë politike.
Një tjetër fushë ku filozofia po konsiderohet thelbësore është siguria e inteligjencës artificiale. Studiuesit kanë dokumentuar raste ku modele të avancuara kanë tentuar të shmangin kontrollin ose të manipulojnë përdoruesit. Për të kufizuar këto sjellje, disa kompani po zbatojnë të ashtuquajturat "kushtetuta të inteligjencës artificiale", dokumente që përmbajnë rregulla dhe parime të frymëzuara nga tradita filozofike, etike dhe juridike.
Anthropic është ndër kompanitë që e kanë zhvilluar më tej këtë qasje. "Kushtetuta" e modeleve Claude përfshin referenca nga filozofi Immanuel Kant, Kushtet e Përdorimit të Apple dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Versioni më i fundit, i hartuar nën drejtimin e filozofes Amanda Askell, u publikua më 21 janar dhe brenda kompanisë është cilësuar si dokumenti që përcakton "shpirtin" e Claude.
Debati filozofik për zhvillimin e AI-së fokusohet kryesisht në dy qasje etike. E para është deontologjia, e cila mbështetet në rregulla të pandryshueshme që ndalojnë veprime si gënjeshtra apo detyrimi. Mbështetësit e saj argumentojnë se një kornizë e qartë rregullash e bën sjelljen e inteligjencës artificiale më të parashikueshme dhe më të sigurt, veçanërisht për robotët që do të përdoren në shtëpi dhe në hapësira publike.
Qasja e dytë është konsekuencializmi, i cili vlerëson pasojat e veprimeve dhe synon të maksimizojë përfitimet duke minimizuar rreziqet. Sipas artikullit, modele si ChatGPT i OpenAI dhe Gemini i Google mbështeten më shumë në këtë logjikë. Google, për shembull, deklaron se modelet e saj synojnë të prodhojnë përfitime të përgjithshme që tejkalojnë ndjeshëm rreziqet e mundshme.
Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme edhe për automjetet autonome. Në situata ku një aksident nuk mund të shmanget, sistemi duhet të zgjedhë alternativën me pasojat më pak të rënda. Sipas Chris Gerdes, inxhinier i lartë në Waymo, softuerët e drejtimit autonom po zhvillohen gjithnjë e më shumë mbi këtë logjikë të vlerësimit të pasojave. /Përshtatur nga "Kathimerini"
Lini një Përgjigje