
Ditën e nesërme pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestave të fundit. Të ndaluarit janë mbajtur në paraburgimin në rrugën "Mine Peza", ndërsa nesër do të dalin përpara gjykatës.
Arrestimet erdhën pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së fundit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me hedhje objektesh, ndërsa policia u përgjigj me spraj lotsjellës dhe ujë.
Në përfundim të protestës së 35-të mbarëkombëtare, aktivisti Edion Lika u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen nesër, në orën 09:00 në ambientet e jashtme të Gjykatës Penale, pranë SPAK-ut, për të protestuar në mbështetje të të arrestuarve dhe për të kërkuar lirimin e tyre.
“Nesër në 09:00 të gjithë çunat dalin para gjykatës. Është detyra jonë që nesër të jemi para gjykatës. Lironi çunat”, u shpreh protestuesi.
Sipas organizatorëve, tubimi synon të shprehë solidaritet me protestuesit e ndaluar dhe kundërshtimin ndaj arrestimeve të kryera pas demonstratës së fundit.
Lini një Përgjigje