TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Prill 2026, 08:42

Lidhjet me Iranin, SHBA pezullon transfertat e dollarëve dhe programet ushtarake për Irakun

Shkruar nga Pamfleti
Lidhjet me Iranin, SHBA pezullon transfertat e dollarëve dhe programet
Donald Trump

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka pezulluar transfertat e dollarëve për autoritetet irakiane, si dhe programet e bashkëpunimit me forcat e armatosura të vendit, në një përpjekje për të shtuar presionin ndaj Bagdadit.

Sipas The Wall Street Journal, masa synon të detyrojë qeverinë irakiane të “çmontojë” organizatat e fuqishme paraushtarake të lidhura me Iranin.

Gazeta raportoi gjithashtu se një fluturim që pritej të transportonte rreth 500 milionë dollarë në kartëmonedha amerikane, të ardhura nga shitjet e naftës irakiane dhe të depozituara në Rezerva Federale e Nju Jorkut, është anuluar me vendim të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Vendimi shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të Uashingtonit për të kufizuar ndikimin iranian në Irak dhe për të forcuar kontrollin mbi rrjedhën e fondeve financiare në rajon.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të do të zgjasin armëpushimin me Iranin, me kërkesë të Pakistanit, dhe do të vazhdojnë bllokadën e porteve iraniane. Po ashtu Trump ka theksuar se armëpushimi me Tehranin do të vijojë deri kur të paraqitet një propozim nga pala tjetër, që i jep fund konfliktit. 

Në një reagim në rrjetet sociale, shefi i Shtëpisë së Bardhë bën me dije: “Bazuar në faktin se Qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, jo në mënyrë të papritur, dhe me kërkesë të marshal Asim Munir dhe Kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit deri në kohën kur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të mund të dalin me një propozim të unifikuar. Prandaj, unë kam urdhëruar Ushtrinë të vazhdojë Bllokadën dhe, në të gjitha aspektet e tjera, të mbetet e gatshme dhe e aftë, dhe për këtë arsye do ta zgjas armëpushimin deri në kohën kur propozimi i tyre të paraqitet dhe negociatat të përfundojnë, në një mënyrë ose në një tjetër."

Statusi i bisedimeve SHBA-Iran kishte qenë i paqartë, ndërsa armëpushimi aktual pritej të skadonte këtë javë. Zëvendëspresidenti JD Vance nuk u nis për në Islamabad siç pritej të martën, duke qëndruar në Uashington.

donald trump lidhjet me iranin

Lini një Përgjigje