Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që u përdorur në ngjarje, së bashku me municion luftarak.
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Babrrusë, në Kamëz, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh.
Sipas policisë, 18-vjeçari Rejsi Muça, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin me inicialen Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të servisit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan menjëherë një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili u lokalizua rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe u vu në pranga.
Gjatë kontrollit të zonës, policia gjeti dhe sekuestroi armën automatike të përdorur në sulm, si dhe municion luftarak.
“Nga veprimet hetimore u dokumentua se autori i dyshuar, shtetasi R. M., 18 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.
Në kuadër të operacionit policor “Zbulimi” të organizuar dhe të zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër, shërbimet e Policisë lokalizuan, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. M., 18 vjeç”, njofton policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.
Lini një Përgjigje