TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Prill 2026, 22:37

Megafoni papnor për paqen

Shkruar nga Carlo Verdelli

Megafoni papnor për paqen

Shpresa për paqe të vërtetë nuk kalon nga ato korridore pushteti. Dhe këtë, Papa i parë amerikan duket se e ka kuptuar më herët se të tjerët...

Përballë dorëzimit ndaj vuajtjes së përditshme nga bombardimet dhe shkatërrimi përballë ndjesisë së pafuqisë së çdo përpjekjeje të vullnetshme evropiane për të ndalur kolapsin e qytetërimit, papritur u ngrit një zë që denoncoi zotërit e luftës dhe rindezi një dritë të vogël shprese.

Ky zë është ai i Papa Leones, i cili që nga fillimi i mandatit të tij, një vit më parë, ka theksuar urgjencën e paqes, në vazhdimësi të plotë të misionit, edhe pse jo të tonit, me paraardhësin e tij Françeskun. Me një ndryshim thelbësor: tani ai zë kumbon shumë më fort, sikur të fliste përmes një megafoni. Dhe këtë përforcues global ia ka vënë në dorë Donald Trump.

“Sa divizione ka Papa?”, pyeste me ironi Stalini në Jaltë, lidhur me përplasjet me Pio XII mbi rendin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtën pyetje duhet ta ketë bërë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, para ose pasi fyeu rëndë Mëkëmbësin e Krishtit, ndoshta pa llogaritur se ai është udhëheqësi i një komuniteti prej një miliard e gjysmë besimtarësh, mbi 50 milionë prej tyre në Amerikë. Dhe ndoshta pa pritur korin e protestave në mbrojtje të Leones që u ngrit njëzëri nga liderët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Giorgia Melonin, dikur aleate e tij e preferuar.

Shkak për zemërimin e ashpër të liderit të fuqisë më të madhe botërore ishte përdorimi i mbiemrit “i papranueshëm” nga Papa, në përgjigje të kërcënimit të vetë Trump për të zhdukur brenda një nate qytetërimin iranian. Pas kësaj erdhi një sulm i drejtpërdrejtë dhe personal: akuzoi Leonen se është i dobët në politikën e jashtme dhe madje mosmirënjohës, duke qenë se Robert Prevost është nga Çikago, pra amerikan, dhe “nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte në Vatikan”. Një ngjarje e krahasueshme nuk kishte ndodhur që nga viti 963, kur perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake, Otto I i Saksonisë, fyeu drejtpërdrejt Gjonin XII, duke e akuzuar për sjellje të pahijshme. As Hitleri dhe as Musolini nuk kishin shkuar deri aty sa të përmendnin emrin e një Pape në mënyrë të tillë.

I pakënaqur, presidenti amerikan e përforcoi provokimin duke publikuar një foto, më pas të hequr për arsye etike, të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku shfaqej si Jezusi duke shëruar një të sëmurë. Rrethi i tij e ndoqi shembullin duke përkeqësuar situatën. Zëvendëspresidenti JD Vance e kaloi kufirin e absurdit duke paralajmëruar Papën e Romës se “duhet të ketë shumë kujdes kur flet për teologjinë”. Vance është konvertuar në katolicizëm vetëm para 7 vitesh; ndërsa Prevost, studiues i Shën Augustinit, është prift që nga viti 1982 dhe peshkop që nga viti 2014.

Megjithatë, rekordin e mungesës së skrupujve e mban aktualisht sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili gjatë një fjalimi para ushtarakëve recitoi një fragment nga Ezekieli për “dhunë dërrmuese ndaj atyre që nuk meritojnë mëshirë”. Ky tekst ishte marrë nga filmi “Pulp Fiction” i Quentin Tarantinos dhe nuk ekziston në Bibël. Edhe më pak do të mjaftonte që një ministër, në teori i Mbrojtjes, por në praktikë i kthyer në një ministër Lufte, të diskreditohej dhe të largohej. Por kjo nuk pritet të ndodhë; përkundrazi, Trump ka përgatitur një tjetër mesazh nga Zyra Ovale ku do të lexojë një varg biblik nga Libri i Dytë i Kronikave: “Nëse populli im, që mban emrin tim, përkulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe largohet nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do ta fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj tokën e tij.”

Një tjetër “zot” në Tokë, dhe kjo përbën një problem serioz për vetë Tokën. Edhe për Kishën e Romës: si hakmarrje për përplasjen me Vatikanin, janë ndërprerë 11 milionë dollarë financime për Catholic Charities në Florida, që për 60 vite ndihmonte të miturit që mbërrijnë vetëm në Amerikë. Dhe kjo nuk pritet të jetë fundi.

Gjatë një vizite në Afrikë, Leone XIV deklaroi me një buzëqeshje se nuk ka interes të debatojë me Trump dhe se mesazhet e tij pastorale ishin përgatitur dy javë përpara se “ai president të bënte komente për mua”. Megjithatë, pa ato komente, fjalët e Papës kundër grupit të tiranëve që po shkatërrojnë botën duke përdorur Zotin si justifikim, do të kishin pasur shumë më pak jehonë. Në Angola, duke iu drejtuar edhe autoriteteve qeveritare, ai i ftoi të rinjtë të rebelohen: “Despotët e trupit dhe të shpirtit duan t’i bëjnë shpirtrat pasivë dhe pasionet të zbehta, të prirura drejt apatisë, të nënshtruara ndaj pushtetit, të bindura.”

Bërja e shpirtrave pasivë është pjesë e strategjive të atyre që kontrollojnë konfliktet. Për t’i zgjuar këta shpirtra duhen figura karizmatike që të ngrihen dhe, pa ekuivok, të përballen me padrejtësitë e reja globale, duke rikthyer guximin tek ata që po e humbasin.

Ky Papë tani ka në dispozicion një përforcues të jashtëzakonshëm. Duke parë rritjen e mbështetjes për qëndrimet e tij, jo vetëm mes katolikëve, ironia më e madhe do të ishte nëse ai do të merrte edhe Çmimin Nobel për Paqen, një çmim për të cilin, në mënyrë paradoksale, Donald Trump shpreh interes. Në një rast të tillë, është e vështirë të imagjinohet që Shenjtëria e Tij të përsërisë gjestin e aktivistes venezueliane Maria Corina Machado, e cila në janar ia dorëzoi medaljen e saj Trumpit personalisht. Por çdo shpresë për paqe të vërtetë nuk kalon nga ato korridore pushteti. Dhe këtë, Papa i parë amerikan duket se e ka kuptuar më herët se të tjerët./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”

paqe papa trump

Lini një Përgjigje