TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 16:43

Nga romanca politike në krizë, ç’po ndodh mes Trump dhe Melonit; incidenti diplomatik që shokoi G-7

Shkruar nga Pamfleti
Nga romanca politike në krizë, ç’po ndodh mes Trump dhe
Trump e Meloni

Historia e marrëdhënies mes presidentit të SHBA-së dhe kryeministres italiane nisi të përkeqësohej me luftën në Iran, kur Italia refuzoi përdorimin e bazave ushtarake në territorin e saj…

Marrëdhënia dikur e ngushtë politike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni duket se po kalon krizën më serioze të saj. Çarjet e para u shfaqën në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme dhe luftën në Iran, kur Roma zgjodhi një qëndrim më të rezervuar, duke shmangur vënien në dispozicion të bazave të saj ushtarake për operacione të mundshme.

Fundi i kësaj “romance” politike duket se u konfirmua nga përplasja e re publike që shpërtheu pas deklaratave të Trumpit, i cili pretendoi se Meloni i ishte “lutur” për të bërë një fotografi së bashku gjatë samitit të G7-ës në Evian.

Tensioni arriti kulmin të premten, kur presidenti amerikan, gjatë një ndërhyrjeje telefonike në emisionin italian “L'Aria che tira” të kanalit La7, ndërmori një sulm personal ndaj kryeministres italiane.

“M’u lut të bënim një fotografi së bashku. Më erdhi keq për të”, u interpretua deklarata e Trump, edhe pse sipas disa varianteve të tjera, Presidenti amerikan saktësisht ka thënë: “E dëshironte aq shumë një fotografi me mua. Nuk do ta bëja, por më erdhi keq për të”.

Gjatë bisedës telefonike me gazetarin Daniele Combattangelo, Trumpi, ndërsa komentonte zhvillimet ndërkombëtare pas samitit të G7-ës, e orientoi shpejt diskutimin te Meloni, duke përsëritur pretendimin se ajo kishte këmbëngulur për një fotografi të përbashkët.

Reagimi i kryeministres italiane ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. “Deklaratat e Donald Trumpit janë tërësisht të fabrikuara. Sinqerisht, jam e habitur. Nuk e di pse presidenti i Shteteve të Bashkuara zgjedh të sillet në këtë mënyrë ndaj aleatëve të tij”, shkroi ajo në një postim në Instagram.

Meloni la njëkohësisht të kuptohej se presidenti amerikan nuk tregon të njëjtën ashpërsi ndaj kundërshtarëve të Perëndimit, duke theksuar se Trumpi nuk sillet me të njëjtën vendosmëri ndaj rivalëve gjeopolitikë të SHBA-së.

“Një gjë duhet ta mbajë mend: as Italia dhe as unë nuk i lutemi kurrë askujt”, përfundoi ajo.

Përplasja e re vjen vetëm pak muaj pas krisjes së parë serioze publike mes dy liderëve. Në prill, Meloni kishte cilësuar si “të papranueshme” sulmet e Trumpit ndaj Papës, duke shkaktuar reagimin e fortë të presidentit amerikan, i cili deklaroi se kryeministrja italiane “nuk është më i njëjti person” që kishte njohur.

Komentet e Trumpit shkaktuan një valë reagimesh në Itali, me figura të larta qeveritare që nxituan të mbrojnë Melonin.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës, Matteo Salvini, deklaroi se “kushdo që sulmon Giorgia Melonin, sulmon të gjithë ne”.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Antonio Tajani i cilësoi deklaratat e Trumpit si “serioze dhe fyese për të gjithë Italinë”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto tha se nuk mund ta imagjinojë Melonin duke i kërkuar kujtdo një fotografi, duke kritikuar njëkohësisht “mungesën e taktit” të presidentit amerikan.

Çështja arriti deri në nivelin më të lartë institucional, pasi presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, komunikoi telefonikisht me kryeministren, duke i shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tij.

“Jemi ende miq, por ti më braktise”

Pavarësisht klimës së rënduar, gjatë samitit të G7-ës në Evian, dy liderët u përpoqën të tregojnë se marrëdhëniet e tyre mbeten funksionale.

Në një shkëmbim replikash në prani të presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ky i fundit komentoi:

“Jeni sërish miq?”

“Kemi qenë gjithmonë miq”, u përgjigj Meloni.

“Po, por ti më braktise”, iu kundërpërgjigj Trumpi, në një frazë që përshkroi në mënyrën më karakteristike distancën që tashmë është krijuar mes dy liderëve.

Pavarësisht përpjekjeve për uljen e tensioneve, përplasja publike e ditëve të fundit tregon se marrëdhënia Trump–Meloni ndodhet tashmë në një fazë të thellë ftohjeje politike, ku thumbimet personale po errësojnë afrinë e dikurshme ideologjike dhe politike mes tyre.

 

meloni trump g-7

Lini një Përgjigje