Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me një valë të re sulmesh ndaj Teheranit, ndërsa zyrtarët iranianë iu përgjigjën me akuza të ashpra.
Më herët, Trump deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit "ka mbaruar" dhe paralajmëroi se do të ketë sulme të reja.
"Ne i goditëm shumë fort mbrëmë, me shumë mundësi do t'i goditim përsëri fort sonte", tha Trump.
Reagimi i Teheranit erdhi nga zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i cili i cilësoi deklaratat e presidentit amerikan si provë të dështimit të politikës së Uashingtonit ndaj Iranit.
"Komentet e Trumpit nuk ishin një shenjë force, por një pranim i dështimit të një politike të ndërtuar për vite me radhë mbi forcën, sanksionet dhe kërcënimet, e cila në fund të fundit dështoi ta gjunjëzonte kombin iranian", deklaroi Gharibabadi.
Më tej, zyrtari iranian përdori një gjuhë edhe më të ashpër në një reagim të publikuar në platformën X.
"Kriminelit dhe vrasësit Trump duhet t’i flitet në gjuhën që ai e kupton, me sa duket, kjo është gjuha e forcës", shkroi Gharibabadi.
Lini një Përgjigje