TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2026, 18:12

Pezeshkian: Marrëveshja me SHBA mund të ndryshojë fatin e Iranit dhe të gjithë rajonit!

Shkruar nga Pamfleti
Pezeshkian: Marrëveshja me SHBA mund të ndryshojë fatin e Iranit
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka vlerësuar marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara si një mundësi për të hapur një fazë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të ndikuar pozitivisht në stabilitetin e rajonit.

Në deklaratat e transmetuara nga mediat iraniane, Pezeshkian tha se memorandumi i mirëkuptimit mund të shërbejë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve afatgjata mes Teheranit dhe Uashingtonit, nëse palët angazhohen për zbatimin e plotë të tij.

“Marrëveshja mund të zgjidhë mosmarrëveshjet afatgjata dhe të krijojë kushte të reja në Iran dhe në të gjithë rajonin”, u shpreh presidenti iranian.

Ai bëri të ditur se detajet e marrëveshjes do të publikohen “në kohën e duhur”, ndërsa zbuloi se më shumë se 90% e anëtarëve të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit kanë mbështetur dokumentin pas diskutimeve të gjera.

Megjithatë, paralelisht me tonet optimiste të presidencës iraniane, Teherani ka dërguar edhe sinjale paralajmëruese ndaj Uashingtonit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, theksoi se Irani pret që SHBA të respektojë të gjitha angazhimet e marra.

Sipas tij, autoritetet iraniane po shqyrtojnë skenarë diplomatikë dhe ushtarakë në rast se marrëveshja dështon gjatë periudhës 60-ditore të zbatimit.

Duke kujtuar episodet e mëparshme të tensioneve mes dy vendeve, Baqaei bëri thirrje për kujdes, ndërsa nënvizoi se forcat e armatosura iraniane mbeten në gatishmëri të plotë.

Zhvillimet vijnë në një moment kur ka lëvizje të rëndësishme edhe në frontin e sigurisë detare në Gjirin Persik. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se anijet kanë nisur të lëvizin sërish nëpër Ngushticën e Hormuzit, korridori strategjik përmes të cilit kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë.

Sipas Trump, rihapja e rrugës detare është rezultat i marrëveshjes së arritur, e cila parashikon fundin e bllokadës detare amerikane dhe rikthimin e lëvizjes së lirë të anijeve në zonë.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Iranit të mos vendosë tarifa tranziti për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

“Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të siguruar që të mos ketë pagesë”, tha Macron për televizionin TF1.

Presidenti francez shtoi se Franca dhe Britania mund të organizojnë shpejt një mision të përbashkët nëse situata e kërkon, ndërsa bëri të ditur se aeroplanmbajtësja franceze "Charles de Gaulle" është e gatshme të zhvendoset në rajon brenda pak ditësh.

Lini një Përgjigje