Cilat janë çështjet që bashkojnë Trump me Erdogan dhe pse administrate amerikane nuk është e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Turqi?
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara ndodhen në një fazë shumë më të mirë se në vitet e fundit. Kjo lidhet kryesisht me marrëdhënien personale mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, të cilët ndajnë një stil pragmatik të politikës së jashtme dhe bashkëpunojnë në disa çështje kyçe rajonale, thuhet në një analizë të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ),
Trump viziton Turqinë për samitin e NATO-s, duke shënuar vizitën e parë të një presidenti amerikan në vend pas 11 vitesh. Ai e ka bërë të qartë se prania e tij lidhet edhe me faktin që samiti organizohet nga Erdoğan, me të cilin ruan marrëdhënie të mira personale.
Një zhvillim i rëndësishëm ishte vendimi i Departamentit amerikan të Drejtësisë për të mbyllur procedurat gjyqësore ndaj bankës shtetërore turke Halkbank, e akuzuar prej vitesh për shkeljen e sanksioneve ndaj Iranit. Qeveria amerikane argumentoi se Turqia kishte ndihmuar në lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi, duke e paraqitur këtë si një shembull të diplomacisë transaksionale që karakterizon marrëdhëniet mes dy liderëve. Po ashtu, SHBA miratoi eksportin e motorëve F110 të kompanisë General Electric për avionin luftarak turk Kaan, një vendim që shihet si hap drejt normalizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Marrëdhënie të tensionuara në të kaluarën
Artikulli kujton se raportet mes dy vendeve kanë kaluar edhe periudha krizash. Pas tentativës për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, Erdoğan fajësoi predikuesin Fethullah Gülen, i cili jetonte në SHBA, dhe kërkoi ekstradimin e tij. Uashingtoni nuk e pranoi kërkesën, ndërsa Ankaraja akuzoi Perëndimin se kishte mbështetur puçistët.
Tensionet u përshkallëzuan edhe me arrestimin e pastorit amerikan Andrew Brunson. Në përgjigje, administrata Trump vendosi sanksione dhe tarifa ndaj Turqisë, të cilat ndikuan ndjeshëm në zhvlerësimin e lirës turke.
Një tjetër mosmarrëveshje e rëndësishme ishte blerja nga Turqia e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400. Për këtë arsye, SHBA përjashtoi Turqinë nga programi i avionëve F-35 dhe vendosi sanksione ndaj industrisë turke të mbrojtjes. Sipas analizës, kjo çështje mbetet ende e pazgjidhur.
FAZ vlerëson se zhvillimet në Siri kanë afruar interesat e dy vendeve. Në të kaluarën, SHBA mbështeste Forcat Demokratike Siriane (SDF), ndërsa Turqia i konsideronte ato të lidhura me PKK-në dhe i luftonte.
Pas rrëzimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024 dhe tërheqjes së forcave amerikane, situata ndryshoi. SHBA mbështet autoritetet e reja siriane dhe, sipas gazetës, i ka lënë Turqisë rol më të madh në zhvillimet në Siri.
Trump ka shprehur publikisht vlerësim për ndikimin e Ankarasë në ndryshimet politike siriane. Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë ai deklaroi se Erdoğan "e ka marrë Sirinë nën kontroll", ndërsa bëri edhe një koment ironik duke thënë se homologu i tij "i njeh zgjedhjet e manipuluara më mirë se kushdo tjetër".

Rusia, Irani dhe Gaza
Sipas artikullit, Erdogan dhe Trump kanë qasje të ngjashme pragmatike edhe ndaj Rusisë. Turqia vazhdon të ruajë marrëdhënie ekonomike me Moskën, megjithëse nuk ndjek gjithmonë kërkesat amerikane për kufizimin e bashkëpunimit. Analiza përmend gjithashtu se gjatë konfliktit të fundit mes Izraelit dhe Iranit, Erdoğan e bindi Trumpin të mos mbështeste një plan izraelit për armatosjen e grupeve kurde-iraniane.
Në çështjen e Gazës, administrata Trump e konsideron Turqinë një ndërmjetëse të dobishme për shkak të kontakteve të Ankarasë me Hamasin. Kjo përbën ndryshim të dukshëm nga administrata e Joe Biden, e cila i shihte këto lidhje si burim shqetësimi.
Artikulli vëren se administrata Trump ka shmangur kritikat publike ndaj Turqisë për çështjet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ndryshe nga administrata Biden, e cila kishte kritikuar arrestimet e figurave opozitare dhe të shoqërisë civile, administrata aktuale nuk reagoi ndaj arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoglu.

Ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, citohet të ketë thënë se Trump i kishte kërkuar t'i siguronte Erdoğanit "legjitimitet", duke e konsideruar këtë si prioritet në marrëdhëniet dypalëshe.
FAZ thekson se interesat e dy vendeve përputhen edhe në Kaukazin Jugor. Projekti për një korridor transporti në jug të Armenisë, i mbështetur nga Trump dhe i promovuar nga Turqia si "Korridori i Mesëm", synon të forcojë lidhjet tregtare mes Azisë dhe Evropës duke rritur rëndësinë strategjike të Turqisë.
Megjithëse marrëdhëniet politike janë përmirësuar, perceptimi i qytetarëve turq ndaj SHBA-së mbetet kryesisht negativ. Sipas një sondazhi të institutit Pew Research, vetëm 18% e turqve kanë një qëndrim pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa shumica vazhdojnë të kritikojnë politikën amerikane në Lindjen e Mesme, mbështetjen për Izraelin dhe rolin historik të CIA-s në Turqi. Nga ana tjetër, NATO gëzon mbështetje më të lartë në Turqi sesa SHBA-ja, me rreth 42% të qytetarëve që shprehin qëndrim pozitiv ndaj aleancës. /Përshtati Pamfleti nga FAZ/
Lini një Përgjigje