Samiti i NATO-s në Ankara e gjen Turqinë në një krizë të thellë. Erdogan mbështetet te represioni…
Kushdo që ka vizituar ndonjëherë Pallatin Presidencial në Ankara, mund të krijojë një ide të përafërt për përmasat e ambicieve për pushtet të ndërtuesit të tij. Vetëm kompleksi i ndërtesave zë rreth 40 mijë metra katrorë në një sipërfaqe të gjerë në perëndim të qytetit. Recep Tayyip Erdogan e ndërtoi pallatin në vitin 2014. Për realizimin e tij u sakrifikua një pjesë e Ataturk Orman Çiftligi, zona e gjelbër e dhuruar personalisht nga themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, e konsideruar si një nga “mushkëritë e gjelbra” të Ankarasë. Kjo ndodhi pavarësisht protestave të shumta.
Në brendësi, pallati karakterizohet nga galeri të shumta në stilin e princërve të vjetër selxhukë dhe korridore të gjata e të gjera që duken të pafundme. Nga jashtë, kompleksi i ndërtuar në stil neo-osman paraqitet si një monument madhështor, me një xhami në qendër dhe sheshe të mëdha, zakonisht të zbrazëta.

Tani presidenti turk më në fund ka mundësinë ta përdorë këtë pallat luksoz si sfond për një paraqitje në skenën ndërkombëtare. Të martën nis në Ankara Samiti i NATO-s. Presidenti amerikan Donald Trump, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish do të priten nga Erdoğan në Pallatin Presidencial.
Mysafirët duhet të mbeten sa më të impresionuar. Sipas raportimeve, pikërisht për këtë arsye autoritetet kanë vendosur barriera mbuluese përgjatë rrugëve kryesore që çojnë drejt pallatit, në mënyrë që të mos shihen lagjet më të varfra dhe zonat më pak të zhvilluara të kryeqytetit.
Erdogan ka nevojë për Samitin e NATO-s si dëshmi të fuqisë së tij
Për deputetin e Bundestagut gjerman nga Partia Socialdemokrate (SPD), Macit Karaahmetoglu, ky është një tregues i qartë se sa i tensionuar është presidenti turk këto ditë. Karaahmetoglu është koordinator i SPD-së në Nënkomisionin për Organizatat Ndërkombëtare dhe prej vitesh ndjek me kriticizëm politikën e Erdoğanit.
“Për të është në lojë shumëçka. Gjërat nuk po ecin mirë në vendin e tij. Këto barriera kanë karakter simbolik. Erdogan dëshiron ta fshehë realitetin”, tha Karaahmetoglu në një intervistë për redaksinë tonë.
Në fakt, Turqia prej vitesh përballet me probleme serioze ekonomike. Çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm, ndërsa lira turke ka humbur vazhdimisht vlerë.
“Samiti i NATO-s është për të një demonstrim i mirëpritur force. Erdogan dëshiron t'u tregojë edhe qytetarëve të tij se mbetet njeriu i fortë, siç është paraqitur gjithmonë”, shtoi Karaahmetoglu.
Megjithatë, sipas sondazheve, mbështetja për Erdoğanin është dobësuar prej kohësh. Pushteti i tij nuk konsiderohet më aq i qëndrueshëm, pasi pakënaqësia e qytetarëve është në rritje.
Protesta, arrestime dhe presion ndaj opozitës
Kjo pakënaqësi është shprehur prej kohësh në protesta masive, veçanërisht që nga marsi i vitit 2025. Pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoglu (CHP), i cili konsiderohej rivali më i fortë politik i Erdoğanit dhe partisë së tij AKP, qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë në të gjithë Turqinë. Policia reagoi me forcë ndaj protestuesve.
Pak muaj më vonë, një gjykatë shkarkoi nga posti Ozgur Ozel, kryetarin e Partisë Popullore Republikane (CHP), duke përmendur akuza për korrupsion. Atmosfera në vend mbetet e tensionuar. Pak para Samitit të NATO-s, Erdoğan urdhëroi arrestimin e qindra gazetarëve dhe akademikëve që konsideroheshin kritikë ndaj pushtetit. Kritikët e interpretojnë këtë si një fushatë të ashpër spastrimi politik. Sipas tyre, asgjë dhe askush nuk duhet ta prishë spektaklin e madh politik të Erdoğanit.

Gjykimi ndaj İmamoglut vazhdon paralelisht me samitin
Njëkohësisht me zhvillimin e Samitit të NATO-s, procesi gjyqësor ndaj Ekrem İmamoğlut, të cilin shumë vëzhgues e konsiderojnë një proces politik dhe formal, hyn në një fazë të re.
“Fakti që të gjitha këto po ndodhin pikërisht në këto ditë është shumë domethënës”, tha Karaahmetoglu.
Sipas tij, Erdogan po eliminon njëri pas tjetrit kundërshtarët politikë. “Në garë lejohen vetëm njerëzit që ai vetë ua lejon pjesëmarrjen dhe për të cilët e di se nuk mund ta rrezikojnë pushtetin e tij. Në këto kushte, Erdoğan nuk gëzon më legjitimitet demokratik”, tha ai.
Deputeti socialdemokrat tha se pret që edhe kancelari gjerman Friedrich Merz t'ia shprehë këto shqetësime Erdoganit, të paktën në takimet me dyer të mbyllura. “Duhet t'i bëhet e qartë se nuk mashtrohemi nga barrierat mbuluese dhe se e dimë që demokracia në Turqi rrezikon të shfuqizohet”, u shpreh ai.
Një sfidë diplomatike për NATO-n
Për drejtuesit e vendeve anëtare të NATO-s, kjo situatë pritet të jetë një ekuilibër i vështirë diplomatik.
Turqia është konsideruar për një kohë të gjatë një anëtare disi e veçantë e aleancës. Megjithatë, sidomos përballë mundësisë që Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Donald Trump, të reduktojnë ose tërheqin angazhimin e tyre në NATO, rëndësia strategjike e Turqisë për vendet evropiane është rritur ndjeshëm.
Pozicioni i saj si mbrojtëse e krahut juglindor të NATO-s dhe e rajonit të Detit të Zi e bën Ankaranë një partner me peshë të madhe për sigurinë e aleancës. /Përshtati Pamfleti nga Fr.de/
Lini një Përgjigje