Sánchez nën zjarrin e akuzave: Do të ketë hetime të reja, por ne do të vazhdojmë
“Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për të korruptuarit, kushdo qofshin ata. Nuk do ta përdor këtë platformë për të shpallur pafajësinë e familjes sime. Ata do ta bëjnë vetë në gjykatë”, deklaroi Pedro Sánchez.
Me këto fjalë, të mbajtura para Dhomës së Ulët të Parlamentit, kryeministri spanjoll përsëriti kërkesën për një “drejtësi të drejtë”, u distancua nga disa prej ish-bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe mori një qëndrim më të rezervuar ndaj ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero, ndërsa vazhdoi të mbrojë me vendosmëri bashkëshorten e tij, Begoña Gómez, dhe vëllanë, David Sánchez.
I thirrur në Parlament për të dhënë sqarime lidhur me çështjet që përfshijnë figura të larta të Partisë Socialiste dhe familjarët e tij, Sánchez e ndërtoi mbrojtjen në tre “kapituj”: “Një rast korrupsioni i qartë dhe jashtëzakonisht i rëndë që përfshin individë të caktuar, të cilët kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre brenda PSOE-së dhe qeverisë për t’u pasuruar. Një hetim ndaj ish-kryeministrit Zapatero, për të cilin askush nuk mund të nxjerrë ende përfundime dhe në të cilin qeveria progresiste e koalicionit nuk ka asgjë për të fshehur apo për t’u penduar. Dhe një seri veprimesh të koordinuara që synojnë dobësimin e qeverisë përmes sulmeve personale, fushatave të dezinformimit dhe gënjeshtrave”.
Në fund, “Sánchez rezistent” zgjodhi edhe një herë kundërsulmin. “Po përpiqen të krijojnë një imazh të korrupsionit të përhapur që në realitet nuk ekziston”, tha ai, duke theksuar se pothuajse të gjitha rastet e korrupsionit lidhen me një grup personash tashmë të përjashtuar nga PSOE-ja, ndonëse dikur shumë pranë tij, si José Luis Ábalos dhe Koldo García, të dënuar përkatësisht me 24 dhe 19 vjet burg, si edhe Santos Cerdán dhe Leire Díez, të cilët presin gjykimin.
Më tej, me një kthesë retorike, ai riafirmoi se qeveria e tij nuk do të bjerë, pikërisht për të dhënë “përgjigjen më të përshtatshme” ndaj korrupsionit. “Pyetja nuk është nëse do të vazhdojmë, por si të mos vazhdojmë”, tha Sánchez.
I rrethuar nga skandalet, kryeministri përsëriti se PSOE nuk është financuar në mënyrë të paligjshme dhe se ai nuk kishte dijeni për asnjë nga veprimet që po hetohen ose për të cilat tashmë janë dhënë dënime. Megjithatë, ai pranoi se ajo që është zbuluar deri tani mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.
“Është e arsyeshme të supozohet se në muajt e ardhshëm do të vazhdojë rrjedha e lajmeve dhe zhvillimeve ligjore. Do të ketë zbulime të reja. Veprime të reja gjyqësore. Mediat e djathta dhe establishmenti politik do t’i paraqesin këto si një tjetër shembull të asaj që tani e quajnë degradim politik. Por të mos mashtrohemi. Fatkeqësisht, degradimi ka ndodhur tashmë. Ajo që do të shohim në muajt e ardhshëm do të jetë ndjekja dhe spastrimi i tyre”, deklaroi ai.
Ndërsa përsëriti “besimin” ndaj Zapateros, Sánchez mori indirekt distancë prej tij: “Në këtë çështje qeveria ka vetëm një detyrë: të sqarojë nëse ka pasur trajtim preferencial në kredinë për Plus Ultra”, kompaninë ajrore low-cost të shpëtuar nga falimentimi dhe që ndodhet në qendër të hetimit që përfshin ish-kryeministrin socialist. “Përgjigjja është e qartë: nuk ka pasur”, tha ai.
Më e vendosur ishte mbrojtja e familjarëve të tij për çështjet për të cilat janë dërguar në gjyq. “Nuk e kam të lehtë të flas për këtë. Sepse bëhet fjalë për njerëzit që dua më shumë. Dhe sepse e di, pa asnjë dyshim, se këto akuza bazohen në pretendime të pabazuara dhe në një model ngacmimi e shpifjeje të ngjashëm me atë që kemi parë në vende të tjera perëndimore”, tha ai duke iu referuar vëllait dhe bashkëshortes së tij.
“Kërkoj vetëm që drejtësia të jetë e paanshme”, shtoi kryeministri.
Shumë i ashpër ishte reagimi i liderit të Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, i cili akuzoi Sánchez për “mungesë absolute morali” dhe e cilësoi atë si “hallkën politike të korruptuar” në të gjitha çështjet që përfshijnë qeverinë dhe PSOE-në.
Megjithatë, shenjat e para të pakënaqësisë po shfaqen edhe në frontin e larmishëm që mban në këmbë qeverinë e pakicës së drejtuar nga socialistët. Nacionalistët katalanas të Junts, parti e qendrës së djathtë që mbështet ekzekutivin nga jashtë, i kërkuan kryeministrit të largohet dhe të propozojë një politikan tjetër në vend të tij.
Për momentin, asnjë prej aleatëve, brenda apo jashtë koalicionit, nuk duket i gatshëm të rrëzojë qeverinë përmes një mocioni mosbesimi, të kërkuar me ngulm nga opozita, e cila nuk i ka e vetme votat e nevojshme në Parlament për ta miratuar.
Sulmi më i fortë erdhi nga lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, i cili akuzoi Sánchez se po përgatit një mashtrim elektoral për të qëndruar në pushtet.
“Ai po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e ardhshme për të ndryshuar rezultatin”, deklaroi Abascal.
Lini një Përgjigje