Një tjetër emër që u përmend gjatë intervistës së Dritan Goxhajt në "Të Pashoq", ishte ai i Elisa Spiropalit. E konsideruar nga shumë protestues si një nga zërat kritikë brenda Partisë Socialiste, Spiropali ka shprehur në mënyra të ndryshme mirëkuptim për protestën, por pa ndërmarrë ndonjë hap konkret për t’u shkëputur nga mazhoranca.
I pyetur nga gazetarja Edjona Dervishi për këtë qëndrim, Dritan Goxhaj deklaroi se figura të tilla brenda Partisë Socialiste mund ta kenë kuptuar nevojën për ndryshim, por sipas tij ato mbeten të lidhura me interesat dhe betejat e brendshme politike. Goxhaj shtoi se nëse kriza politike thellohet, mund të ketë edhe emra të tjerë socialistë që do të distancohen nga Edi Rama.
Intervista:
Edjona Dervishi: Po nga zëra të tjerë socialistë, si për shembull Elisa Spiropali, që ju mbështesin ju, por nuk është se kanë ndërmarrë ndonjë akt konkret për t’u distancuar realisht nga Partia Socialiste.
Dritan Goxhaj: Po, kjo është sepse Elisa Spiropali dhe shumë të tjerë ndoshta kanë parë që ka nevojë për një ndryshim.
Dhe në këtë ndryshim, duke qenë se Elisa Spiropali është përplasur, ka një përplasje të brendshme me kryetarin e partisë së saj, ndoshta pretendon që nesër të marrë ose një grupacion të partisë, ose të marrë partinë, ose diçka tjetër.
Pra është në këtë luftë dhe normalisht që nuk mund të distancohet nga Partia Socialiste, sepse ka edhe ajo interesat e saj politike.
Për këtë arsye, si Elisa Spiropali mund të dalin edhe të tjerë nesër. Sepse në momentin që ta shohin se varka po mbytet, atëherë të gjithë të tjerët, marinarët e kësaj varke, secili do të mundohet të shpëtojë veten.
Lini një Përgjigje