TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Korrik 2026, 10:20

Ujërat e Danubit bien në nivele historike, dalin në sipërfaqe anije të fundosura të Luftës së Dytë Botërore

Shkruar nga Pamfleti
Ujërat e Danubit bien në nivele historike, dalin në
Dalin në sipërfaqe anije të fundosura të Luftës së Dytë Botërore

Rënia drastike e nivelit të ujit në lumin Danub po krijon pamje të pazakonta në Serbi dhe Kroaci, ndërsa thatësira dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë Evropën po lënë pasoja të dukshme në një nga lumenjtë më të rëndësishëm të kontinentit.

Në marinën e Novi Sadit, në veri të Serbisë, dhjetëra mjete lundruese kanë mbetur të bllokuara mbi një shtresë balte të gjelbër, pasi ujërat janë tërhequr me qindra metra nga brigjet.

Gjatë kësaj jave, Danubi ka shënuar nivele historikisht të ulëta në Serbi dhe Kroaci, duke zbuluar sipërfaqe të mëdha ranore që deri më tani qëndronin nën ujë. Fenomeni lidhet me valën e të nxehtit dhe mungesën e reshjeve që kanë goditur pjesën më të madhe të Evropës.

Në Kroaci, ulja e nivelit të lumit ka nxjerrë në sipërfaqe një anije mallrash të fundosur që prej vitit 1937. Ndërkohë, në lindje të Serbisë janë shfaqur mbetjet e ndryshkura të disa anijeve gjermane të mbytura në vitin 1944, të cilat tashmë konsiderohen një rrezik për lundrimin.

Pasojat janë ndjerë edhe në kryeqytetin serb. Në Beograd, një restorant ka shfrytëzuar shkëmbinjtë e dalë në mes të lumit për të vendosur tavolina dhe karrige, duke krijuar një hapësirë të improvizuar për klientët.

Nivelet e ulëta të Danubit kanë prekur edhe sektorin energjetik. Ministrja e Energjisë, Dubravka Xhedoviç Handanoviç, bëri të ditur se importet e karburanteve kanë arritur vetëm 25% të objektivit të planifikuar për korrikun, pasi anijet cisternë janë detyruar të lundrojnë me vetëm 30–40% të kapacitetit të tyre për shkak të cekëtisë së lumit.

Përveç transportit, situata ka goditur edhe peshkimin, turizmin dhe aktivitetet ekonomike përgjatë Danubit, si edhe lumenjve Tisa dhe Sava. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse thatësira vazhdon, pasojat mund të jenë afatgjata për ekosistemet dhe biodiversitetin e zonës.

Sipas Shërbimit Hidrometeorologjik të Serbisë, reshjet e rëna në pjesët e sipërme të pellgut pritet të sjellin një rritje të lehtë të nivelit të Danubit gjatë ditëve në vijim, megjithëse situata mbetet shqetësuese.

lumi danub

Lini një Përgjigje