Presidenti amerikan ka zhvilluar bisedime me liderë kurdë në Iran dhe po analizon mundësinë e ofrimit të armëve, trajnimit apo mbështetjes informative për grupet kundër regjimit, sipas zyrtarëve amerikanë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e mbështetjes së grupeve në Iran që janë të gatshme të marrin armët për të rrëzuar regjimin, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sipas të njëjtave burime, kjo qasje mund të shndërrojë fraksionet iraniane në forca tokësore që do të mbështeteshin, të paktën në mënyrë teorike, nga Uashingtoni.
Zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se Trump zhvilloi të dielën bisedime me liderë kurdë në Iran dhe po vijon kontaktet me drejtues të tjerë lokalë, të cilët mund të përfitojnë nga dobësimi i Teheranit.
Forcat kurde kanë prani të konsiderueshme përgjatë kufirit Irak–Iran. Ndërkohë, Izraeli ka bombarduar objektiva në Iranin perëndimor, duke shtuar spekulimet se po krijon kushte për një avancim të mundshëm kurd në zonë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se “Presidenti Trump ka folur me shumë partnerë rajonalë”, por nuk konfirmoi në mënyrë të drejtpërdrejtë objektivat e tij. Zyrtarët theksuan se presidenti nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, përfshirë nëse do të ofrojë armë, trajnim apo mbështetje informative për grupet që kundërshtojnë regjimin iranian.
Gjatë njoftimit për nisjen e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Trump i bëri thirrje popullit iranian të “marrë në dorë pushtetin”, duke shtuar se “Amerika ju mbështet me forcë dërrmuese dhe fuqi shkatërruese”.
Sipas Wall Street Journal, shqyrtimi i një mbështetjeje, qoftë edhe të kushtëzuar, për grupe të armatosura me objektiva të ndryshëm shënon një hap përtej thirrjeve publike për një kryengritje popullore.
Të martën, Trump shpërndau dy herë në rrjetet sociale një opinion të publikuar nga Washington Post mbi të ashtuquajturën “doktrina Trump”. Autori i shkrimit, Marc Thiessen, argumentoi se “nuk ka nevojë për një pushtim amerikan”, duke theksuar se “populli iranian është forca në terren”.
Bukuri, një shtet kurd ishte me kurdët e Iranit, Turqisë dhe Irakut që fut automatikisht në lojë veç Iranit dhe Turqinë dhe Irakun. Izraeli po ja arrin finales, copëtimit edhe të Turqisë