Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ndan të njëjtin qëndrim me Presidentin amerikan Donald Trump lidhur me rrëzimin e regjimit iranian. Ai u prit nga presidenti amerikan në SHBA në një takim në Zyrën Ovale.
“Jemi në të njëjtën linjë për sa i përket rrëzimit të këtij regjimi të tmerrshëm në Teheran. Dhe do të flasim për të nesërmen, çfarë do të ndodhë atëherë”, tha Merz, i ulur pranë Trump.
Merz shtoi se prioritet mbetet përfundimi i konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur dhe thekson se shpreson të rikthehet paqja dhe liria në Iran.
“Ne të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresojmë që ushtria izraelite dhe amerikane po bëjnë gjërat e duhura për ta përfunduar këtë dhe për të pasur, me të vërtetë, një qeveri të re në vend, e cila po kthehet në paqe dhe liri”, u shpreh kancelari gjerman.
Deklaratat vijnë në një moment kur administrata Trump ka dhënë argumente të ndryshme për sulmet ndaj Iranit, duke përmendur si një “kërcënim të afërt” për SHBA-në, ashtu edhe nevojën për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.
Ndërkohë, Trump ka bërë thirrje që populli iranian të marrë kontrollin e vendit, duke lënë të kuptohet se ka në mendje alternativa për drejtimin e ardhshëm, megjithëse zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se qëllimi i luftës nuk është ndryshimi i regjimit.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, Merz bëri të ditur se në axhendë ishte edhe diskutimi për një marrëveshje tregtare mes SHBA-së dhe Gjermanisë, të cilën ai tha se do të dëshironte ta shihte të miratuar sa më shpejt. Lufta në Ukrainë ishte gjithashtu pjesë e bisedimeve mes dy liderëve.
Lini një Përgjigje