TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë15 Maj 2026, 13:40

Kulla e "armëpushimit"? Si Blendi Gonxhja, Shkëlzen Berisha dhe toka e Xhabaftëve i dhanë Tiranës përbindëshin 45-katësh

Shkruar nga Pamfleti
Kulla e "armëpushimit"? Si Blendi Gonxhja, Shkëlzen Berisha
Blendi Gonxhe, Rreoland Jegeni, Shkëlzen Berisha/

Tirana po mbytet në beton dhe askush nuk flet. Ose më saktë, flasin të gjithë, por jo për atë që duhet. Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Edi Rama, ka miratuar lejen për një kullë 45-katëshe në zemër të ish-Bllokut, një nga zonat më të ngarkuara urbane në Europë.

Kulla e "armëpushimit"? Si Blendi Gonxhja, Shkëlzen Berisha
Artikulli i BoldNews/

Përfituesi zyrtar është kompania Roen Company e biznesmenit Rreoland Jegeni, i njohur dikur si "opozitar" i flaktë në takimet e Lulzim Bashës. Por gërmimi nën sipërfaqen e kësaj lejeje zbulon jo thjesht një tjetër shkelje urbanistike, por një aleancë familjare që bashkon pushtetin, opozitën dhe pronarët e tokës në një pazar të vetëm: Blendi Gonxhjen, Rreoland Jegenin, Shkëlzen Berishën dhe familjen Xhabafti.

Le ta marrim me radhë...

Rreoland Jegeni, i shfaqur dikur si zëri i biznesit të shtypur nga qeveria Rama, nuk është thjesht një ish-opozitar që "pa dritën" dhe kaloi në anën tjetër. Lidhja e tij me Blendi Gonxhen është shumë më e thellë se sa një aleancë e rastësishme biznesi. Burime tona konfirmojnë se Jegeni dhe Gonxhja janë familjarë. Natyra e saktë e kësaj lidhjeje familjare është duke u hetuar me detaje, por një gjë është e sigurt: nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie të ftohtë institucionale mes një biznesmeni dhe një zyrtari publik. Bëhet fjalë për lidhje që i paraprijnë politikës dhe që e shpjegojnë lehtësinë me të cilën dyert e KKT-së i janë hapur Jegenit pa asnjë bujë.

Kulla e "armëpushimit"? Si Blendi Gonxhja, Shkëlzen Berisha

Por kush e vuri tokën në dispozicion? Terreni ku do të ngrihet kulla 45-katëshe i përket familjes Xhabafti, e cilësuar nga opozita si "mercenarët e Blendi Gonxhjes". Xhabaftët nuk janë thjesht shitës prone. Ata janë pjesë e një mekanizmi më të gjerë që i shërben drejtpërdrejt interesave të Gonxhes. Në këtë skemë, Xhabaftët vënë tokën, Jegeni vë kompaninë dhe kapitalin, ndërsa Gonxhja me Edi Ramën vënë firmën përfundimtare. Një trekëndësh i përkryer interesi që tani rezulton të jetë i lidhur edhe familjarisht.

Por një marrëveshje e tillë, me përmasa kaq të mëdha dhe në një zonë kaq të ndjeshme si ish-Blloku, nuk mund të mbijetonte pa një ombrellë politike që të zbusë opozitën. Dhe këtu hyn në skenë personazhi që lidh të gjithë fijet: Shkëlzen Berisha.

Sipas burimeve të Pamfleti, djali i kreut opozitar Sali Berisha është "kumbari" i këtij pazari. Shkëlzen Berisha është njëkohësisht mik i afërt i Blendi Gonxhes dhe pjesë e marrëveshjes që po ngre këtë përbindësh betoni. Prania e tij në ekuacion shërben si polica e sigurimit: një garanci që opozita zyrtare nuk do ta sulmojë seriozisht këtë projekt dhe se gjithçka do të kalojë në heshtje.

Dhe pikërisht këtu arrijmë te pyetja që na ka mbajtur në mëdyshje prej muajsh: pse Sali Berisha, i cili nuk ngurron të sulmojë këdo që lidhet me pushtetin, nuk e ka prekur asnjëherë me fakte Blendi Gonxhen? Pse sulmet e tij ndaj njeriut që firmos shkatërrimin urbanistik të Tiranës mbeten gjithmonë në nivel thashethemesh që nuk qëndrojnë? Përgjigjja tashmë duket e qartë: sepse çdo goditje reale ndaj Gonxhjes do të ekspozonte mikun e ngushtë të të birit, Shkëlzen Berishës, dhe do të zbërthente pazarin e kullës 45-katëshe. Doktori mjaftohet me ndonjë thumb të hedhur në ajër, ndërsa përbindëshi prej betoni ngrihet në heshtje.

Kulla 45-katëshe në ish-Bllok nuk është thjesht një projekt ndërtimi. Është monumenti i një pakti familjar mes pushtetit dhe opozitës, i vulosur mes lidhjeve të fshehta dhe i mbrojtur nga heshtja e atyre që duhet të flisnin.

Ndërsa hetimi për lidhjen e saktë familjare mes Gonxhjes dhe Jegenit vijon, një fakt është tashmë i pamohueshëm: kushdo që prek këtë kullë, prek një dinamit politik që mund të shpërthejë në duart e të gjithëve.../Pamfleti

 

4 Komente

  1. O
    Opionisti

    Amund te hetohete spaku tw gjitha ne shqiperi dhe ushri tw prishe

    1. S
      Sotiri

      Xhabaftet nuk ka Lasur asnjehere truall te blloku në Tiranë. Mos na bëni pronare ata që nuk kanë qënë asnjera brënda vijes së verdhe.

      1. Q
        Qemoli

        Harrohet dhe s'përmendet gjëkundi që Jegeni është një prestanome për milionat që vilen nga qytetarët për një koncesion të paligjshëm dhe antikushtetues si RBS ???? Ka aq shumë kjo praktikë për të folur por për çudi s'u përmend kurrë e nga askush, sidomos nga pseudo-reformatorët e 2013 kur erdhën në pushtet. Një analizë e thjeshtë e këtij koncesioni nxjerr një gjiriz dypalësh.

        1. M
          Mali

          Nje per te gjithe te gjithe per nje por me nje ndryshim,qe ne te vjedhim ju beni sehire nga Ballkoni..!!????

          Lini një Përgjigje