Bashkimi Evropian po ligjëron dëbimin e migrantëve në vende të treta përmes një rregulloreje të re që bazohet në statistika të manipuluara qëllimisht. Eksperimenti Itali-Shqipëri në Gjadër dhe Shëngjin provoi se ky model është ligjërisht i paligjshëm dhe financiarisht i dështuar. Megjithatë, koalicioni i ri i së djathtës në Bruksel po injoron faktet për të kënaqur interesat elektorale...
Në korridoret e Brukselit po hartohet një nga reformat më radikale dhe represive në historinë e Bashkimit Evropian sa i përket migracionit: Rregullorja e re e Kthimit. Kjo paketë ligjore synon të ndryshojë tërësisht qasjen ndaj migrantëve të padokumentuar, duke lejuar krijimin e të ashtuquajturave “qendra kthimi” (return hubs) jashtë kufijve të bllokut.
Në praktikë, këto janë kampe paraburgimi në vende të huaja, ku njerëzit që u është refuzuar azili mund të mbahen të izoluar deri në 24 muaj gjatë procesit të apelimit. Për të kuptuar se ku po shkon Evropa, sytë janë kthyer nga Shqipëria, e cila shërbeu
si terreni i parë testues i këtij modeli, dhe nga zyrat e statistikave, ku të dhënat po manipulohen qëllimisht për të krijuar një ndjesi artificiale paniku dhe emergjence.
Përpara se Parlamenti Evropian të votonte rregulloren e re, praktika e zhvendosjes
së migrantëve jashtë territorit të BE-së po testohej tashmë përmes marrëveshjes kontroverse mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, të nënshkruar në vitin 2023.
Roma e prezantoi këtë projekt si një “revolucion” dhe një model që duhej ndjekur nga mbarë Evropa, duke ndërtuar dy struktura në Shqipëri nën juridiksionin italian: një qendër pritjeje në Shëngjin dhe një kamp paraburgimi në Gjadër.
Projekti u vlerësua të kushtonte rreth 830 milionë euro për 5 vjet. Megjithatë, ajo që pasoi ishte një leksion i gjatë dhe i turpshëm se si planet populiste, të konceptuara me nxitim për përfitime elektorale, përplasen me realitetin ligjor dhe logjistik.
Siç e kishin parashikuar mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gjykatat italiane dhe evropiane refuzuan të njihnin ligjshmërinë e mbajtjes së migrantëve në Shqipëri. Pas një vendimi të Gjykatës Evropiane, një vend mund të konsiderohet i sigurt për qëllime azili vetëm nëse është i sigurt për të gjithë pa përjashtim - një kusht që vendet e origjinës së këtyre migrantëve nuk e plotësonin.
Midis tetorit 2024 dhe janarit 2025, vetëm 73 persona u transferuan në Gjadër dhe Shëngjin. Brenda pak javësh, gjykatat italiane urdhëruan që të gjithë ata të ktheheshin menjëherë në Itali. Për më tepër, kostot financiare dolën jashtë çdo logjike ekonomike. Një studim universitar italian zbuloi se një vend krevati për një migrant në Shqipëri i kushtonte Italisë mbi 153.000 euro, krahasuar me vetëm 21.000 euro që kushtonte e njëjta strukturë brenda Italisë. Sot, këto kampe që kushtuan mbi 600 milionë euro për t’u ndërtuar qëndrojnë thuajse plotësisht bosh, duke u kthyer në monumente të dështimit populist.
Për të përligjur një ligj kaq të ashpër dhe për të mbyllur sytë para dështimit në Shqipëri, liderët e BE-së janë mbështetur te manipulimi i pastër statistikor. E gjithë arkitektura e Rregullores së re të Kthimit u ngrit mbi një shifër të vetme tejet alarmante: pretendimin se vetëm 20 për qind e migrantëve që marrin një urdhër dëbimi në BE, largohen realisht nga territori.
Kjo shifër përsëritet si mantra nëpër fjalime e deklarata shtypi për të argumentuar se sistemi ka dështuar dhe se Evropa po “përmbytet” nga emigrantët e paligjshëm.
Por ekspertët e migracionit dhe institutet kërkimore si CEPS (Qendra për Studimin e Politikave Evropiane) e kanë çmontuar këtë shifër si të rreme dhe mashtruese.
Së pari, migrantët pa dokumente numërohen disa herë në shtete të ndryshme. Për shembull, një herë gjatë hyrjes në Greqi apo Itali, dhe përsëri nëse lëvizin drejt Gjermanisë apo Francës. Kjo gjë që e fryn artificialisht numrin total të pretenduar.
Së dyti, shumë urdhra dëbimi lëshohen formalisht për njerëz që ligjërisht nuk mund të dëbohen (për shkak të sëmundjeve të rënda, rrezikut të persekutimit apo refuzimit të vendit të origjinës).
Shkalla e ulët e dëbimeve nuk vjen nga “kufijtë e dobët”, por nga kufizimet e panegociueshme të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. Kjo pasqyrohet edhe në hendekun e madh mes perceptimit publik dhe realitetit.
Sondazhet e YouGov, tregojnë se shumica e evropianëve besojnë se në vendet e tyre ka më shumë migrantë të paligjshëm sesa të ligjshëm. Për shembull, në Francë numri real është rreth 13 herë më i ulët se ai që mendon publiku.
Ky panik i pabazë mirëmbahet qëllimisht nga mediat dhe partitë e djathta për ta mbajtur migrimin në krye të agjendës elektorale, duke krijuar një ndjesi artificiale emergjence të përhershme.
Pavarësisht se kërkimet shkencore tregojnë se izolimi i gjatë dhe kampet jashtë kufijve nuk e ulin dëshirën për të emigruar - por thjesht ushqejnë rrjete korrupsioni në vendet e treta - Brukseli po ecën përpara me këtë plan.
Nëse Rregullorja e Kthimit miratohet përfundimisht, do të krijojë pikërisht atë mburojë ligjore mbarëevropiane që politikanët populistë kërkonin. Ajo do ta zgjerojë konceptin e “vendit të tretë të sigurt” në atë mënyrë që asnjë gjykatës vendas të mos ketë më mundësi ta bllokojë dëbimin e migrantëve në kampe si ai i Gjadrit.
Kjo lëvizje po mundësohet nga shpërbërja e “kordonit sanitar” (vijës së kuqe) në Parlamentin Evropian. Partia Popullore Evropiane (EPP) e Ursula von der Leyen ka zgjedhur të bashkëpunojë në fshehtësi me të djathtën radikale (përfshirë marrëveshjet përmes grupeve në WhatsApp të zbuluara në mars), duke e zhvendosur tërë qendrën politike të Evropës drejt një axhende ksenofobe.
Pra eksperimenti i Italisë në Shqipëri - i provuar si i shtrenjtë, i paefektshëm dhe në kundërshtim me normat ligjore - rrezikon të kthehet në modelin zyrtar të Bashkimit Evropian.
Duke injoruar faktet dhe duke u dorëzuar para statistikave të manipuluara, BE-ja po pranon të krijojë “vrima të zeza të të drejtave të njeriut jashtë kufijve të saj, duke sakrifikuar vlerat e saj themelore dhe vetë shtetin e së drejtës për hir të interesave politike të momentit./Marrë me shkurtime nga Insider
Synimi i Ramutit t deshqiptarizoj Shqiperine. Kasta politike bastarde qe po shkatërron kombin shqiptar. Qelbesirat qe debojne popullin jashtë dhe hapin portat per gjithe njerëzit qe vet BE smund ti mbaj! Ramuti e ramutet bashk me Salehun e salehet vendin e kane ne burg.