S’ka pse të habitemi që Dita e Pavarësisë nuk festohet me tenorë italianë, por me këngëtarë latinë të konsumuar nga turnetë muzikorë. Një shtet që nuk diti t’i vlerësojë Rolling Stones-at mbi shkumën e detit, e meriton ta festojë me Ricky Martinin dhe Baja Mali Knindžën.
Para se 21 maji të bëhej Dita e Pavarësisë në Mal të Zi, Ricky Martin tashmë po pajtohej me faktin se nuk ishte më një yll global. Shitjet e albumeve po binin dhe “Livin’ la Vida Loca” nuk mbushte më stadiume, ndaj ish-seks simboli po përgatitej për një pension të parakohshëm.
Në atë fazë, turnetë po bëheshin përjashtim dhe hitet e tyre luheshin vetëm në radiostacione me muzikë të viteve 1990 ose në provinca të mbetura pas në kohë. Ishte koha e fëmijëve surrogate, jetesës me honorare dhe kur as yjet e pensionuara nuk ëndërronin të këndonin në kremtimet e festave shtetërore.
Ndërsa në vitin 2006 Ricky Martin përgatitej për pensionin muzikor, Mali i Zi po jetonte një rini të dytë. Dikur republika më e varfër e Federatës Jugosllave sillej si “Luksemburgu i Ballkanit” dhe shijonte vëmendjen e investitorëve të huaj të dyshimtë.
Dëgjohej dueti i Sergejit dhe Danijelit, ndërsa qytetarët nuk shqetësoheshin shumë për mungesën kronike të demokracisë. Në sfond vendoseshin vazhdimisht fjalime për pajtim dhe për një Mal të Zi pa humbës, ndërsa në Kushtetutë, pas shtetit ekologjik, u shënua edhe ai qytetar.
“Babai i kombit ndodhej” në një nga fazat e tij më të fuqishme - dhe gjendje të tilla zakonisht nënkuptojnë një qëllim në mendje dhe 1.000 premtime të pambajtura, pas të cilave nuk ka pendim.
Tani me siguri që do të ketë të tilla në këto ditë të freksëta maji, kur shteti feston pavarësinë. Shumë votues do ta pranojnë se në majin e vitit 2006, nuk e kishin imagjinuar një shtet të tillë dhe do të kujtojnë të gjitha kthesat e tij të gabuara.
Ata do të kuptojnë se shteti nuk mbrohet me flamuj, por me institucione të pavarura, dhe se për shpëtim nga “Kurta e Murta” do t’i luten Brukselit si Shën Vasilit. Kur zemra të qetësohet me lutje, ndoshta do të pranojnë se në këto dy dekada Mali i Zi ka përparuar diku-diku.
Nuk ekziston më ai “shtet privat” për të cilin profetizoi Peđa Bulatović, ku pasuritë ishin të rezervuara vetëm për vëllezërit dhe kumbarët. Me kalimin e kohës, pranë sofrës shtetërore u majmën edhe shumë nëpunës shtetërorë, pa vulën e të cilëve nuk bëhej asgjë.
Ndërkohë shteti u transformua me sukses në një shoqëri aksionare ku kapitali ndahet sipas forcës politike. Në “SHA Mali i Zi”, dividendët shtetërorë edhe sot përdoren për të faturuar “Po”-në historike dhe për të shëruar traumat e vitit 2006, flamujt i valëvit vetëm varfëria, teksa aksionerët shtetërorë vazhdojnë të shqyjnë llokmë pas llokme atdheun.
Kontrabanda nga një biznes familjar u zhvillua në një degë ekonomike. Nuk është më një punë shtetërore e rezervuar për të zgjedhurit, ndaj kontrabandist mund të bëhet kushdo që është gati të rrezikojë dhe ta fusë kokën në torbë.
Harresa juridike i mbuloi bardët e kontrabandës nga aktakuza e Bar-it, por sot Mali i Zi mund të mburret me klane për të cilat është dëgjuar më larg sesa Italia. Qytetarët nuk ndahen më në sovranistë dhe unionistë, por në skaljarë dhe kavçanë, ndërsa rinia malazeze nuk rri më në zyrat e punësimit, por komunikon në platformën Sky, qëllon nëpër rrugë dhe paketon drogë.
Për idealet politike nuk përplasen më as partitë, e lëre më pastaj kumbarët. Prandaj nuk ka më ndarje mes pushtetit dhe opozitës për shkak të së cilës nuk faleshin “kalimet” e Pajovićit dhe Đurovićit.
Në qeveri kanë qenë tashmë pothuajse të gjithë - përveç ekspertëve të humbur dhe partive nën pragun zgjedhor - ndërsa në kabinete, në vend të ministrave, mund të ulen edhe holograme që marrin rrogë.
Në administratën shtetërore nuk ka më elitizëm, ndaj funksionarë mund të bëhen edhe njerëz krejt të zakonshëm. Mjafton vullneti i mirë dhe një diplomë për të cilën askush nuk do të pyesë në cilin “outlet” është blerë.
Gjyqësori nuk varet më vetëm nga një sponsor politik, ndërsa mediat janë të lira të ndryshojnë pa frikë padronët e tyre. Me dekada vonesë u përmbush premtimi i inteligjencës së ndershme se pas shtetit do të vinte edhe demokracia.
Në vend të veteranëve të referendumit, atë e solli Kisha Ortodokse, ndaj shumë votues e politikanë ndihen të detyruar ndaj saj në çdo votim. Kjo është edhe arsyeja pse politikanët dhe votuesit tanë janë gjithnjë e më fetarë, ndonëse me një vëmendje të madhe ndjekin të arratisurit e AI-së teksa përhapin “rrobat e pista” të të tjerëve.
Në një Mal të Zi të tillë, nuk ka vend për habi që Dita e Pavarësisë nuk festohet me tenorë italianë, por me këngëtarë latinë të rënë nga vakti. Një shtet që nuk diti t’i vlerësojë Rolling Stones-at mbi shkumën e detit, meriton të festojë me Ricky Martinin dhe Baja Mali Knindžën.
Dhe kur në vitin 2028 të na fusin në Bashkimin Evropian, do të kërkojmë që në Sheshin e Pavarësisë të na sjellin Taylor Swift-in ose të paktën Bad Bunny-n./ “Vijesti”
Ky vici te shkoje ande nga stepat e Mongolise ku e ka vendin e mos fuse hundet ne punet e Shqiptareve.
Mire e paskan gjetur Ricky bythen, ju lumte!