Botërori 2026, që do të nisë javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, do të shënojë një rekord të ri edhe sa i përket shpërblimeve financiare. FIFA ka miratuar një fond prej 871 milionë dollarësh për kombëtaret pjesëmarrëse, një shumë 15% më e lartë krahasuar me fondin fillestar prej 727 milionë dollarësh të miratuar në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s në Doha, në muajin dhjetor.
Përveç kësaj shume, federata ndërkombëtare ka parashikuar edhe bonuse të veçanta për kualifikimin dhe përgatitjet para turneut, duke e rritur më tej mbështetjen financiare për ekipet pjesëmarrëse.
Sipas skemës së shpërndarjes së publikuar nga FIFA, secila prej 48 kombëtareve të kualifikuara do të përfitojë 10 milionë dollarë si bonus pjesëmarrjeje. Ndërkohë, në prag të fazës përgatitore për turneun, çdo skuadër do të marrë edhe 2.5 milionë dollarë shtesë. FIFA ka parashikuar gjithashtu 16 milionë dollarë të tjera si kontribute shtesë për mbulimin e shpenzimeve të delegacioneve dhe alokime që lidhen me shitjen e biletave.
Edhe skuadrat që nuk arrijnë të kalojnë fazën e grupeve do të përfitojnë shpërblime të konsiderueshme. Ekipet e renditura nga vendi i 33-të deri në të 48-in do të marrin nga 9 milionë dollarë secila. Kombëtaret që eliminohen në fazën e 1/16-ve të finales do të shpërblehen me 11 milionë dollarë, ndërsa ato që ndalen në 1/8-at e finales do të sigurojnë 19 milionë dollarë.
Shpërblimet rriten ndjeshëm për skuadrat që arrijnë në fazat finale të kompeticionit. Kombëtarja që renditet në vendin e katërt do të përfitojë 27 milionë dollarë, ndërsa vendi i tretë do të shpërblehet me 29 milionë dollarë.
Finalistja e Botërorit do të arkëtojë 33 milionë dollarë, ndërsa kampionia e botës, përveç ngritjes së trofeut më prestigjioz në futbollin ndërkombëtar, do të përfitojë edhe një shpërblim prej 50 milionë dollarësh.
Lini një Përgjigje