TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 3 Qershor 2026, 16:53

Shqipëria renditet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria renditet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për

Shqipëria është bërë destinacioni i dytë më i shtrenjtë në Ballkan për qiratë ditore të njësive akomoduese, sipas të dhënave të publikuara nga AirDNA, platforma ndërkombëtare që analizon tregun e akomodimit afatshkurtër.

Të dhënat tregojnë se çmimi mesatar i një nate qëndrimi në Shqipëri ka arritur në 57 euro, duke u renditur pas Malit të Zi, ku qiraja mesatare ditore është 79 euro për natë. Rritja e fluksit të turistëve të huaj në vitet e fundit ka nxitur kërkesën për akomodim, duke ushtruar presion në rritje mbi çmimet.

Pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina me 56 euro për natë, ndërsa Serbia regjistron një tarifë mesatare prej 51 eurosh. Kosova mbetet më e lirë me 42 euro për natë, ndërsa Maqedonia e Veriut rezulton destinacioni më ekonomik në Europë sipas kësaj analize, me një çmim mesatar prej 40 eurosh për natë.

Shtrenjtimi i akomodimit në Shqipëri lidhet me zgjerimin e shpejtë të turizmit hyrës. Vendi ka tërhequr një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh të huaj falë kostove konkurruese, veçanërisht krahasuar me destinacionet mesdhetare. Megjithatë, rritja e kërkesës po redukton gradualisht avantazhin e çmimeve të ulëta që e karakterizonte tregun shqiptar.

Pavarësisht rritjes, Shqipëria vijon të mbetet më e lirë se konkurrentët kryesorë turistikë në rajon dhe në Europën Jugore. Diferenca është veçanërisht e dukshme me Malin e Zi, ku çmimet e akomodimit janë rreth 39% më të larta.

Krahasuar me tregjet turistike më të zhvilluara të rajonit mesdhetar, Shqipëria mbetet dukshëm më konkurruese në aspektin e kostos së akomodimit.

Sipas AirDNA, çmimi mesatar i një nate qëndrimi në Itali arrin në 146 euro, në Greqi 138 euro dhe në Kroaci 130 euro. Këto nivele janë më shumë se dyfishi i tarifës mesatare të regjistruar në Shqipëri.

Zhvillimet tregojnë se tregu shqiptar i akomodimit po kalon gradualisht nga faza e konkurrimit përmes çmimeve të ulëta drejt një modeli ku rritja e kërkesës turistike po reflektohet gjithnjë e më shumë në çmimet e qirave afatshkurtra.

qira shqipëria ballkan

Lini një Përgjigje