TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Korrik 2026, 16:21

Futbolli në hije nga biznesi, FIFA thyen rregulloren në finalen e Botërorit; pushimi mes pjesëve mund të zgjasë deri në 30 minuta

Shkruar nga Pamfleti
Futbolli në hije nga biznesi, FIFA thyen rregulloren në finalen e
Futbollistët në pushim të ndeshjes

Finalja e Kupës së Botës pritet të sjellë një risi që ka ndezur debat në botën e futbollit. Ndeshja e madhe, që do të luhet të dielën në stadiumin “MetLife” të Nju Jorkut mes Spanjës dhe fitueses së duelit Angli–Argjentinë, mund të ketë një pushim mes pjesëve shumë më të gjatë se ai i parashikuar në rregullore.

Sipas Ligjeve të Lojës, futbollistët kanë të drejtë për një pushim maksimal prej 15 minutash, por FIFA planifikon që në finalen e Botërorit ndërprerja të zgjasë nga 25 deri në 30 minuta për shkak të spektaklit të organizuar mes pjesëve.

Rregullorja është e qartë për këtë pikë:

"Futbollistët kanë të drejtë për një pushim ndërmjet dy pjesëve të lojës, i cili nuk duhet të jetë më i gjatë se 15 minuta. Kohëzgjatja e pushimit mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e arbitrit."

Në pushimin e finales do të zhvillohet një shfaqje e madhe artistike, e kuruar nga Chris Martin i grupit Coldplay. Në program janë parashikuar emra të njohur të muzikës botërore si Justin Bieber, Shakira, BTS, Madonna, Burna Boy, dirigjenti Gustavo Dudamel dhe kori PS22, ndërsa pjesë e spektaklit do të jenë edhe personazhet e Muppet.

FIFA e ka cilësuar këtë performancë si një festë historike që bashkon sportin, muzikën dhe kulturën globale. Vetëm koncerti pritet të zgjasë rreth 11 minuta, ndërsa pjesa tjetër e kohës do të nevojitet për montimin dhe çmontimin e skenës në mes të fushës.

Ky aspekt e bën të vështirë respektimin edhe të objektivit fillestar të FIFA-s për ta kufizuar pushimin në rreth 20 minuta. Për këtë arsye, mediat britanike raportojnë se ndërprerja reale mund të arrijë deri në gjysmë ore.

Sipas “The Times”, televizionet britanike “BBC” dhe “ITV” presin që pushimi të zgjasë rreth 30 minuta. Kjo do t'u lejonte transmetimin e plotë të spektaklit, por edhe analizën tradicionale të pjesës së parë me panelin e opinionistëve, ndërsa pritet ende konfirmimi përfundimtar nga FIFA.

Vendimi ka shkaktuar diskutime edhe për ndikimin që mund të ketë te lojtarët. Një ndërprerje kaq e gjatë mund të ulë ritmin e ndeshjes dhe të ndikojë në gjendjen fizike të futbollistëve, të cilët rrezikojnë të humbasin intensitetin e lojës para fillimit të pjesës së dytë.

Për më tepër, në këtë Botëror janë aplikuar edhe pushimet e detyrueshme për hidratim gjatë secilës pjesë. Nëse finales i shtohen edhe këto ndërprerje, koha totale e ndeshjes mund të kalojë lehtësisht dy orët, ndërsa në rast të kohës shtesë dhe penalltive sfida mund të zgjasë afro tre orë.

Kështu, finalja e Botërorit 2026 pritet të jetë jo vetëm një duel për trofeun më të rëndësishëm të futbollit, por edhe një spektakël gjigant argëtimi, duke ngritur pyetjen nëse futbolli po lë gjithnjë e më shumë vend për show-n dhe interesat komerciale.

finalja e kupës së botës pushimi mes pjesëve

Lini një Përgjigje