TAGS-AT E JAVËS

Forum14 Prill 2026, 10:57

Bibi, Donald, Vladi, do të jeni vallë si Zoti?

Shkruar nga Maurizio Vitali
Bibi, Donald, Vladi, do të jeni vallë si Zoti?
Donald Trump dhe Beniamin Netanyahu /

Te disa udhëheqës politikë, të cilët janë protagonistët kryesorë të momentit historik që po jetojmë, vërehet gjithnjë e më shumë një referencë e rreme fetare që përdoret për të arsyetuar veprimet e tyre. Ky lloj diskursi shërben shpesh si një mjet për të rritur ndikimin politik dhe për të legjitimuar strategji agresive në arenën ndërkombëtare...

“Dy të çmendurit që luajnë rolin e Zotit!”, është titulli shumë tërheqës i një artikulli të Jeffrey Sachs, botuar para pak ditësh në “Il Fatto Quotidiano”. E mora seriozisht këtë provokim, duke mposhtur mungesën e empatisë që ndjej për atë gazetë dhe për autorin amerikan filo-putinist; për të cilin “të çmendurit që luajnë rolin e Zotit” janë vetëm Trump dhe Netanyahu, ndërsa Putin apo Ajatollahët... as që përmenden.

Sidoqoftë, “luajnë rolin e Zotit”... Pra, nuk e di nëse “luajnë” apo besojnë vërtet në të. Anoj nga e dyta, duke pasur parasysh premtimin mashtrues, por bindës të gjarprit ndaj Adamit dhe Evës: “Do të jeni si Zoti!”.

Sigurisht, nuk është rastësi që Papa Leoni kritikon “delirin e plotfuqishmërisë” që shkatërron gjithçka dhe mbyll çdo shteg dialogu, siç u pa trishtueshëm edhe në negociatat e Islamabadit.

Sot jemi dëshmitarë të spektaklit makabër të të fortëve (arrogantëve) me raketa e dronë, që flasin dhe veprojnë sikur të kishin pushtet absolut mbi njerëzimin dhe planetin, duke e paraqitur Zotin si të rreshtuar në krahun e tyre.

Ky është instrumentalizimi i shëmtuar i faktorit fetar. Deri te “deliri fetar” - thotë Sachs - i burrave që besojnë se janë Mesia që po kryejnë veprën e Zotit, të rrethuar dhe të mbështetur nga njerëz që ua konfirmojnë dhe ua përsërisin këtë.

Por ekziston edhe një lëvizje e kundërt, që nis nga vetë fetë, ose më saktë nga fetë e “devijuara”, të cilat ia besojnë realizimin e qëllimeve të tyre mjeteve dhe udhëheqësve politikë (dhe ushtarakë). Në këtë mënyrë, këto forma fillimisht fetare shndërrohen në ideologji lehtësisht të përdorshme për pushtetin.

Në një artikull të fundit në “Cronache Romane”, Roberto De Mattei thekson se gabimi i këtyre ideologjive dhe doktrinave qëndron te “interpretimi i luftës mes të mirës dhe të keqes si një luftë mes fuqive shekullare për sundimin e botës”.

Pas atentatit që pësoi vitin e kaluar, Trump tha se Zoti e shpëtoi për të çuar përpara misionin e tij për ta bërë Amerikën të madhe. Ministri i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka bërë tatuazh në gjoks një kryq të Jeruzalemit me mbishkrimin “Deus vult” (Zoti e dëshiron), si një kryqtar i Mesjetës.

Netanyahu i ka përshkruar aksionet e tij të armatosura si një faqe të re biblike, duke i quajtur “luftëra shpëtimtare”, dhe duke renditur “plagët e luftës” (ose murtajat), njëlloj si në tekstin e shenjtë. Por mund të citoheshin edhe mijëra shenja të tjera.

Ndërkohë, dihet botërisht që Trump është i kushtëzuar nga kombinimi mes Netanyahut dhe lobeve të fuqishme hebraike në SHBA. Por ai pëson por edhe e përdor ndikimin e protestantizmit evangjelist.

Bëhet fjalë për një komunitet që përfshin 20-25 për qind të popullsisë së SHBA-së, ku bën pjesë një degë e quajtur “të krishterët sionistë”, e cila zotëron leva të rëndësishme pushteti në ekonomi dhe media. Edhe për këta, mbështetja ushtarake e SHBA-së për Izraelin dhe rindërtimi i Tempullit të Tretë, janë hapa të përmbushjes së profecive biblike.

Ideologu kryesor i Vladimir Putinit, Aleksandr Dugin, e teorizon Moskën si “Romën e Tretë”, në një antitezë globale qytetërimi dhe vlerash kundrejt Perëndimit. Vizioni i tij bazohet te një kombinim midis vullnetit për pushtet të Kremlinit dhe planeve të prozelitizmit ekspansionist të Patriarkatit të Moskës.

“Russkij Mir”, që në rusisht do të thotë “bota ruse” por edhe “paqja ruse”, përshkruan një vizion dhe projekt të lindur nga intelektualët demokratë në vitet 1990, i cili pastaj u përvetësua dhe u tjetërsua nga patriarku Kirill dhe në fund u nda me Putinin.

Fillimisht, “bota ruse” tregonte dëshirën për ta rikthyer në Rusinë post-komuniste kapitalin njerëzor të shpërndarë, për të ndërtuar një demokraci solide në përputhje me kulturën ruse. Patriarkati Ortodoks pa aty rastin për të zgjeruar ndikimin e tij, madje edhe përtej kufijve politikë.

U pohua ideja se kudo ku kishte diçka ruse, aty ishte edhe “Russkij Mir”. Vrulli fillestar misionar u shndërrua në një ideologji nacionaliste. Kështu, Kisha Ortodokse i ofroi Putinit - i cili në periudhat e para të pushtetit nuk kishte një ideologji të tijën - një vizion të ri, një gjuhë të re për një projekt perandorak.

Për t’u shndërruar më pas në një doktrinë për të dhunshmit apo në një ideologji për agresorët, një fe duhet të humbasë ndjenjën fetare, të fshijë ndjenjën e varësisë fillestare

të qenies njerëzore. Për pasojë, ajo humbet edhe çdo dashuri për njeriun, i cili sakrifikohet për projektin.

Atëherë fjala “Të jesh si Zoti” shndërrohet në një tundim të parezistueshëm dhe shkatërrues. Paralajmërimi i Papa Leonit se “historia rrënohet nga arrogantët dhe shpëtohet nga njerëzit modestë”, nuk është një iluzion i thjeshtë predikimi, por një gjykim sfidues dhe realist mbi realitetin tonë.

Shihni pra se sa peshë merr pohimi se Krishterimi nuk është një doktrinë apo ideologji, por “ajo Ngjarja e pranishme”!/Pamfleti nga “Il Sussidiario”

bibi donald vladi

Lini një Përgjigje