Urrejtja ndaj Donaldit, grekët, iranianët, kundra-izraelianët, algoritmi, rrjeti social, media ndërkombëtare, injoranca e njerëzve, shkrirja e akullnajave… I vetmi pa faj, është Edi, kjo viktimë e madhe rrethanash e kohëve moderne.
“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri. Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të kësaj skene...” – u tha kryeministri deputetëve të tij të shtunën, pak para se sheshi poshtë zyrës së tij të mbushej për të njëzetën herë.
Një tjetër leksion i sportit të tij të vjetër, ikjes nga përgjegjësia. Këtë herë, faji është i një konspiracioni të madh, një lufte të madhe ideologjike, ku Shqipëria është si biçim kolaterali.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij…” – shtoi kryeministri, duke e vizatuar veten si viktimë të stuhive globale.
Urrejtja ndaj Donaldit, grekët, iranianët, kundra-izraelianët, algoritmi, rrjeti social, media ndërkombëtare, injoranca e njerëzve, shkrirja e akullnajave… I vetmi pa faj, është Edi, kjo viktimë e madhe rrethanash e kohëve moderne.
Nuk arrin kryeministri i shqiptarëve të shohë në këtë mobilizim të jashtëzakonshëm ndonjë shqetësim legjitim shqiptar. Çdo kritikë, vendase apo e huaj, është detyrimisht ‘e verbër’, ’emocionale’, e nxitur nga mllefi. Një si xhelozi botërore, e projektuar posaçërisht ndaj Edit tonë.
“Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë..” – janë fjalët e tij.
Gjeniale. Meqë disa gjahtarë vrisnin flamingo para dhjetë viteve, ne sot nuk kemi më asnjë të drejtë t’i kërkojmë kryeministër Edit llogari për betonizimin e një zone të mbrojtur, për projektet që gllabërojnë natyrën, për fatin e vetë lagunës, për pronat e rrëmbyera me falsifikime, për kriminalizimin e gjithë shoqërisë nga droga, për korrupsionin…
Këto janë të gjitha “perceptime”. Ata që i mendojnë janë “analfabetë që udhëhiqen nga histeria e rrjeteve sociale”, “romantikë naivë”, “bullistë online”, “fashistë hajvanë”.
Në fund, kryeministri bën edhe bashkimin e madh të “armiqve”:
“Bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë… I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim…”
Nuk e ka me Lulzim Bashën. Po i tregon popullit protestues organin gjenital.
Përgjigjen e mori mbrëmjen e të shtunës. Pjesëmarrja e pashoqe në bulevard ishte përplasja më e ashpër e realitetit me përrallat e tij për flamingo globale.
Ata mijëra protestues nuk janë robotë virtualë. Janë njerëz prej mishi e gjaku. Po i dëshmojnë “të pagabueshmit” që llogaridhënien e ka detyrim. Nuk e shmang dot më, me truke gjuhësore dhe ligjërime prej filozofi të rremë.
Mund t’i etiketosh si “hajvanë” apo “fashistë” sa të duash nga kolltuku i rehatshëm i pushtetit, por ai shesh nuk mbushet ashtu as nga marazi për Trump-in, as nga udhëzimet e “Lulit”.
Ata që zbresin në rrugë janë rini e revoltuar që refuzon t’i dorëzohet apatisë dhe diktaturës së faktit të kryer. Janë prindër të shqetësuar, pronarë të grabitur. Janë qytetarë që refuzojnë teatrin e pështirë të një kaste mediokre llogoresh false, që ditën aktron si rivale egër, natën ndan në ortakëri të plotë paranë publike.
Përballë këtij deti njerëzish, petkat e kuruara të Edit dhe Saliut duken më të ngushta e më qesharake se kurrë. Sheshi ua zhveshi kallajin, edhe ironisë bajate të njërit, edhe pozës prej shpëtimtari të tjetrit, që me atë shesh ka ende të hapur llogarinë e pashlyer të vrasjeve.
Lini një Përgjigje