Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të reagojë publikisht ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç, do të kryente spastrim etnik në Kosovë.
Në një letër drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, Konjufca kërkon që Brukseli jo vetëm ta dënojë këtë deklaratë, por edhe ta trajtojë atë në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
Në letrën e tij, kreu i diplomacisë kosovare paraqet tre kërkesa konkrete ndaj BE-së. Së pari, ai kërkon një dënim të qartë, të fortë dhe publik të deklaratës së ministres Paunoviç dhe të retorikës revizioniste që, sipas tij, ajo përfaqëson.
Së dyti, kërkon që autoriteteve serbe t'u rikujtohet zyrtarisht se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe nuk përputhen me vlerat evropiane dhe kriteret e procesit të anëtarësimit.
Së treti, ai kërkon që kjo çështje të ngrihet në mënyrë të rregullt në dialogun politik mes BE-së dhe Serbisë, si edhe në procesin e negociatave për anëtarësim.
Sipas Konjufcës, deklarata e ministres serbe nuk mund të konsiderohet një gafë e rastësishme.
"Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces", ka shkruar Konjufca në letrën e tij.
Reagimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës vjen pasi deklarata e ministres serbe shkaktoi reagime të forta në Prishtinë, ndërsa autoritetet kosovare kërkojnë që Bashkimi Evropian të mbajë një qëndrim të qartë ndaj gjuhës që, sipas tyre, nxit urrejtje dhe bie ndesh me parimet mbi të cilat bazohet procesi i integrimit evropian.
Lini një Përgjigje