Gara për “Këpucën e Artë”, trofeun që i jepet golashënuesit më të mirë të Kupës së Botës, është kthyer në një nga më të fortat që ka njohur ndonjëherë turneu. Lionel Messi dhe Kylian Mbappe ndajnë vendin e parë me nga tetë gola secili, ndërsa në garë mbeten edhe Harry Kane dhe Jude Bellingham.
Kapiteni i Argjentinës ka një avantazh të rëndësishëm ndaj rivalëve, pasi kombëtarja e tij do të luajë finalen ndaj Spanjës, të dielën në orën 21:00, duke i dhënë mundësinë të shtojë numrin e golave. Përveç kësaj, Messi kryeson edhe në asistime, një element që mund të rezultojë vendimtar në rast barazimi. Ndërkohë, Franca e Kylian Mbappe është eliminuar nga gara për titullin dhe do të luajë vetëm ndeshjen për vendin e tretë, këtë të shtunë në orën 23:00.
Në vendin e tretë renditet Erling Haaland me shtatë gola, por sulmuesi norvegjez nuk ka më mundësi të përmirësojë statistikat e tij, pasi Norvegjia u eliminua nga Anglia.
Pas tij vijnë Harry Kane dhe Jude Bellingham, të dy me nga gjashtë gola. Bellingham u ngjit në këtë kuotë falë dopietës së realizuar ndaj Norvegjisë në çerekfinale, duke ndihmuar Anglinë të siguronte kualifikimin në gjysmëfinale.
Me nga pesë gola renditen Ousmane Dembele i Francës dhe Mikel Oyarzabal i Spanjës, ky i fundit autor i golit të parë në gjysmëfinalen ndaj Francës.
Në kuotën e katër golave ndodhen Vinicius Junior (Brazil), Ismaila Sarr (Senegal) dhe Julian Quinones (Meksikë), ndërsa me nga tre gola figurojnë Lautaro Martinez (Argjentinë), Cristiano Ronaldo (Portugali), Romelu Lukaku (Belgjikë), Cody Gakpo (Holandë) dhe Kai Havertz (Gjermani).
Renditja aktuale për “Këpucën e Artë” të Botërorit 2026:
Lionel Messi (Argjentinë): 8 gola, 4 asistime
Kylian Mbappe (Francë): 8 gola, 3 asistime
Erling Haaland (Norvegji): 7 gola (i eliminuar)
Harry Kane (Angli): 6 gola
Jude Bellingham (Angli): 6 gola
Si përcaktohet fituesi?
Trofeu i “Këpucës së Artë” i jepet futbollistit që realizon më shumë gola gjatë turneut. Në rast se dy ose më shumë lojtarë e mbyllin Botërorin me të njëjtin numër golash, kriteri i parë përcaktues është numri i asistimeve. Nëse barazia vazhdon edhe në këtë tregues, fitues shpallet lojtari që i ka arritur këto statistika duke luajtur më pak minuta.
Sipas statistikave, kjo është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që katër futbollistë arrijnë një nivel kaq të lartë rivaliteti për “Këpucën e Artë”, me kaq shumë gola të shënuar në të njëjtin edicion të turneut.
Lini një Përgjigje