TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Qershor 2026, 13:05

9 kg kanabis, mbi 51 mijë paundë cash dhe sende luksoze; dënohet me burg çifti shqiptar në Britani

Shkruar nga Pamfleti
9 kg kanabis, mbi 51 mijë paundë cash dhe sende luksoze; dënohet
Dënohet me burg çifti shqiptar në Britani

Dy shqiptarë, partnerë me njëri-tjetrin, janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi autoritetet zbuluan në banesën e tyre në Birmingham rreth 9 kilogramë kanabis dhe 51,450 paundë cash, të fshehura në vende të ndryshme të shtëpisë.

Kristian Lleshi, 35 vjeç, është dënuar me dy vjet e dy muaj burgim, ndërsa Xhulijana Trimi, 29 vjeçe, me 18 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Kurorës në Birmingham.

Të dy kishin pranuar më herët fajësinë për posedim të kanabisit me qëllim furnizimin, si edhe për vepra penale që lidhen me pastrimin e parave.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), arrestimi i tyre u krye në shtator të vitit të kaluar gjatë një operacioni në një banesë në zonën Shenley Green të Birminghamit.

Gjatë kontrollit, hetuesit sekuestruan shtatë kilogramë kanabis të paketuar në vakum në papafingo, si dhe dy kilogramë të tjerë të fshehur në shkallët e ndërtesës.

Në banesë u gjetën gjithashtu mbi 51 mijë paundë cash, të fshehura në vende të ndryshme, përfshirë një portofol, çanta, komodina, një enë suplementesh proteinike, dollapë dhe poshtë një shtrati. Autoritetet sekuestruan edhe sende me vlerë të konsiderueshme, si bizhuteri ari, çanta dore dhe këpucë luksoze.

Gjatë hetimeve, Trimi deklaroi se nuk kishte dijeni për drogën dhe paratë e gjetura. Ajo pretendoi se e njihte Lleshin prej vetëm tre muajsh dhe se nuk ishte në një marrëdhënie me të. Gjithashtu, tha se sendet luksoze i kishte blerë të përdorura në platforma online si eBay dhe Vinted.

Megjithatë, hetuesit siguruan prova që binin në kundërshtim me deklarimet e saj. Postimet në rrjetet sociale tregonin se çifti ishte në një lidhje të paktën që prej vitit 2023, ndërsa faturat e sekuestruara vërtetonin se disa prej artikujve luksozë ishin blerë drejtpërdrejt me para në dorë në dyqane të markave të njohura.

Operacioni i NCA-së çoi gjithashtu në zbulimin e një ferme kanabisi në Dudley, ku u asgjësuan bimë me një vlerë të përllogaritur prej rreth 78 mijë paundësh. Hetimet për këtë çështje vijojnë.

Sipas komandantit të degës së NCA-së, Saju Sasikumar, pretendimet e Trimit ishin “plotësisht të pabesueshme”, ndërsa hetimet treguan se të dy të dënuarit ishin në dijeni të drogës dhe parave dhe kishin rol aktiv në aktivitetin kriminal.

Lini një Përgjigje