Elvis Koçi, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari ose me nofkën “Vis Korçari”, është vënë në pranga mbrëmjen e së shtunës në Ksamil, pas një operacioni të përbashkët të forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët e policisë nga Tirana kishin kohë që e monitoronin 34-vjeçarin dhe e lokalizuan gjatë ditës në zonën e Ksamilit. Rreth orës 22:30 u organizua operacioni për ndalimin e tij, me pjesëmarrjen e agjentëve civilë të sektorit të krimeve në Sarandë.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se, sapo ka konstatuar praninë e policisë, Çaushllari ka tentuar të largohet duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij. Gjatë arratisjes, ai dyshohet se ka përplasur dy automjete civile të përdorura nga policia, duke arritur fillimisht t’u shpëtojë efektivëve.
Menjëherë pas incidentit është organizuar ndjekja e tij, ndërsa në operacion janë përfshirë edhe forca të FNSH-së të ardhura nga Saranda.
Pas rreth 30 minutash kërkime, 34-vjeçari është lokalizuar pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku edhe është arrestuar. Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin me të cilin ai lëvizte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyen e ndalimit të Çaushllarit. Megjithatë, burime jozyrtare bëjnë me dije se ai mund të kërkohej në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Elvis Çaushllari njihet si një emër i përfshirë në konfliktet mes grupeve kriminale në Elbasan dhe ka precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2022 ai u arrestua nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u lirua një vit më vonë.
Emri i tij është përmendur edhe në hetime që lidhen me përplasjet me grupin e Suel Çelës në Elbasan. Sipas raportimeve të mëparshme, ai i ka shpëtuar edhe një atentati të ndodhur në vitin 2020.
Lini një Përgjigje