Një tjetër aksident është regjistruar ditën e sotme në aksin nacional Korçë–Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë.
Bëhet me dije se, një automjet ka përplasur një person që po lëvizte me biçikletë. Mësohet se, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Korçës, pasi ka marrë dëmtime në kokë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në Durrës, ku një automjet është përmbysur pasi drejtuesi ka humbur kontrollin mbi mjetin.
Sipas të dhënave paraprake, në automjet udhëtonin dy shtetas të huaj me origjinë afrikane, një djalë dhe një vajzë. Dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi në momentin e aksidentit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejtuesi ka tentuar të kryejë një manovër, por ka humbur kontrollin, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të përmbyset.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa fatmirësisht dy personat që ndodheshin në automjet kanë shpëtuar pa lëndime serioze. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e aksidentit.
Këto ngjarje vijnë vetëm pak orë pas aksidentit tragjik të regjistruar në aksin e vjetër Fushë-Krujë–Laç, ku një automjet përplasi për vdekje një person që udhëtonte me motoçikletë, duke e çuar në tre numrin e aksidenteve të rënda të raportuara gjatë ditës.
Lini një Përgjigje