
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 persona, të cilët qëndruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe pas përfundimit të protestës së zhvilluar të shtunën në mbrëmje.
Sipas policisë, personat e proceduar kanë qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në bulevard, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike. Më tej shtohet se protestuesit kanë tejkaluar orarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit dhe kanë zaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas autoriteteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e hapësirës dhe respektimin e ligjit, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në zonë.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.
Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”
Lini një Përgjigje