TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Qershor 2026, 18:02

Operacioni i SPAK, arrestohet në Greqi biznesmeni Ilir Shtufi

Shkruar nga Pamfleti
Operacioni i SPAK, arrestohet në Greqi biznesmeni Ilir Shtufi
Ilir Shtufi

Shtufi është arrestuar në Selanik, ndërsa po udhëtonte drejt Turqisë, dhe sipas burimeve ka deklaruar se do të kthehej të hënën në Shqipëri

Operacioni i zhvilluar sot nga SPAK është shtrirë edhe jashtë vendit. Mësohet se në Greqi është ndaluar biznesmeni Ilir Shtufi, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme dhe policia kanë nisur një aksion që prej mëngjesit dhe në total janë 20 masa sigurie, mes tyre dhe disa biznesmenë.

Dyshohet se biznesmenët janë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave në kuadër të një grupi kriminal, para që janë gjeneruar në fushën e ndërtimit të këtyre biznesmenëve.

Shtufi është arrestuar në Selanik, ndërsa po udhëtonte drejt Turqisë, dhe sipas burimeve ka deklaruar se do të kthehej të hënën në Shqipëri. Ndërkohë, SPAK ka sekuestruar edhe telefonin celular të bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi i nisur që në vitin 2021 ka dokumentuar aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, ndërsa fitimet e përfituara janë investuar më pas në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi, kompani tregtare dhe biznese turistike në Shqipëri.

SPAK bën me dije se Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “Arrest në burg” për 15 persona dhe “Arrest në shtëpi” për 5 të tjerë. Deri tani janë ekzekutuar disa prej masave, ndërsa një nga personat e shpallur në kërkim është arrestuar nga autoritetet greke. Bëhet fjalë për Ilir Shtufin. 

Sipas hetimeve, personat nën hetim A.H. dhe L.K. dyshohet se kishin rol drejtues në organizimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Hetuesit kanë dokumentuar një strukturë të organizuar që merrej me furnizimin, transportin, magazinimin, përpunimin kimik dhe shpërndarjen e kokainës në disa vende europiane.

Një nga episodet kryesore të dosjes lidhet me sekuestrimin e 441 kilogramëve kokainë në Barcelonë të Spanjës, ku u arrestuan disa persona të përfshirë në transportimin e drogës. SPAK thotë se janë dokumentuar edhe sekuestrime të tjera të sasive të konsiderueshme të kokainës në Holandë, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Një pjesë e rëndësishme e provave është siguruar nga komunikimet e zbërthyera në platformën e koduar SKY ECC, përgjimet telefonike dhe bashkëpunimi me autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve europiane.

 

spak arreste

Lini një Përgjigje