
Pesë persona janë arrestuar nga policia e Vlorës, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në zonat turistike të qytetit. Mes të arrestuarve janë edhe 2 shtetas italianë.
Policia ka finalizuar operacionin e koduar “West”, në kuadër të të cilit u arrestuan pesë shtetas, pas dyshimeve për transport dhe shitje të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç, M. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.
Sipas njoftimit të policisë, personat u ndaluan në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë kontrolleve në automjetin që përdornin, në banesën ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë dhe gjatë kontrollit fizik, u gjetën rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme si ketaminë, MDMA dhe ekstazi, të përgatitura për shitje.
Gjithashtu, u sekuestrua një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal dhe 8 telefona celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në plazhe dhe ambiente argëtimi në qytetin e Vlorës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Lini një Përgjigje