50-vjeçari Edmond Sula dyshohet se u qëllua nga distanca me armë me dylbi, hetohet aktiviteti i tij me pronat
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 50-vjeçarit në Bërxullë të Vorës, ku një person ka mbetur i vrarë pas një atentati me armë zjarri në orët e para të mëngjesit.
Viktima është identifikuar si Edmond (Ali) Sula, i cili dyshohet se është qëlluar në momentin kur po afrohej pranë banesës së tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10 të datës 12 korrik. Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se e kanë ndjekur dhe kanë pritur 50-vjeçarin pranë shtëpisë, duke hapur zjarr në drejtim të tij. Pas atentatit, ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dyshohet që viktima të jetë qëlluar nga pas, me një plumb në kokë, ndërsa arma e përdorur dyshohet se ka qenë pushkë me dylbi.
Menjëherë pas krimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e lëvizjeve të tyre para dhe pas ekzekutimit.
Sipas burimeve hetimore, 50-vjeçari nuk rezulton të ketë precedentë penalë. Megjithatë, autoritetet po verifikojnë të kaluarën e tij, rrethin e kontakteve dhe aktivitetet e mëparshme për të zbuluar ndonjë motiv të mundshëm të krimit.
Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me aktivitetin e tij në fushën e shitblerjes së pronave.
Deri tani nuk ka persona të shoqëruar apo të arrestuar për ngjarjen, ndërsa policia vijon kontrollet dhe mbledhjen e provave për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Bëhet me dije se, në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, ndërsa Sula u qëllua me një plumb.
"Më datë 12.07.2026, rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë, Vorë, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi E(A). S., rreth 50 vjeç, i cili ka qenë në rrugë, duke lëvizur në këmbë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do të ndihmojë në zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje