Drejtori i burgut të Rrogozhinë, Bilal Hasa, është liruar ditën e sotme pasi u vetëdorëzua dje në polici.
Bilal Hasa u vetëdorëzua pasi u raportua se ishte pronari i objektit të përshtatur si “shtëpi bari”, i zbuluar në Peqin.
Pas vetëdorëzimit, ai ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se me banesën merret i vëllai, Romario Hasa.
Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe nuk ka pasur dijeni për çfarë mund të ishte ushtruar aty.
Ndërkohë në kërkim është shpallur vëllai i tij si dhe një përgjegjës i OSHEE-së, të dy të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Hetimet e mëtejshme vazhdojnë për identifikimin e të gjitha personave të përfshirë dhe zbardhjen e rrjetit të kultivimit të lëndës narkotike.
Ditën e djeshme u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis në dy magazina, në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj të Peqinit.
Në momentin që është ndërhyrë nga forcat e policisë, brenda ambienteve nuk është gjetur njeri. Por magazinat rezultonin në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.
Pas ngjarjes, ai u shpall në kërkim dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra. Më pas ai u vetëdorëzua.
Lini një Përgjigje