
Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka arrestuar një shtetas italian, pasi u kap me 25 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonte.
Shuma monetare u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar në bashkëpunim me strukturat e Doganës Durrës, pasi mjeti u përzgjodh për verifikim në vijën e dytë.
Nga kontrolli fizik i automjetit rezultoi se 25 mijë eurot nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve përkatëse, sipas detyrimeve të parashikuara nga ligji. Bëhet me dije se gjatë kontrollit nuk janë konstatuar sende të tjera të jashtëligjshme, ndërsa shuma e parave është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndaj shtetasit italian janë nisur procedurat ligjore, ndërsa materialet i janë referuar strukturave kompetente për veprime të mëtejshme.
Kontrollet e përbashkëta mes Policisë Kufitare dhe Doganës vijojnë me qëllim parandalimin e rasteve të mosdeklarimit të valutës dhe zbatimin e legjislacionit në pikat e kalimit kufitar.
Lini një Përgjigje