Policia e Sarandës ka ndarë sot detaje nga operacioni i ndjekjes dhe arrestimit të të kërkuarit të njohur si “Vis Korçari”.
Policia e Sarandës ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin që çoi në arrestimin e Elvis Koçit, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari ose me nofkën “Vis Korçari”, i dënuar nga GJKKO si pjesëmarrës në atentatin ndaj Sokol Sanxhaktarit.
Policia bën me dije se 34-vjeçari u lokalizua në qendër të Ksamilit, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”. Në momentin kur efektivët tentuan ta ndalonin, ai nuk iu bind urdhrit të policisë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke goditur automjetet e oficerëve gjatë tentativës për t’u larguar.
Pavarësisht rezistencës, forcat e policisë arritën ta neutralizonin dhe arrestonin pak minuta më vonë, ndërsa automjeti që përdorte u sekuestrua si provë materiale. Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Në njoftim, Policia thekson se Elvis Koçi dyshohet si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë që vepron në qytetin e Elbasanit.
Sipas autoriteteve, Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte lënë në fuqi dënimin me 4 vite burg ndaj tij për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”. Koçi ishte arrestuar më herët në kuadër të hetimeve të SPAK, por u lirua pas rreth një viti për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit.
Burime policore bëjnë me dije se atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe rreth tre vite burgim, pas vendimit të formës së prerë të dhënë nga Apeli i GJKKO-së.
"Finalizohet operacioni policor i koduar "Fast" për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fast", u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip "Audi", kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.


Lini një Përgjigje